Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se aktualisht kanë vështirësi të shërbimit me ushqim për ushtarët e FSK-së, mirëpo theksoi se po punojnë të krijojnë vetëqëndrueshmëri për sigurimin e ushqimit.
Ai tha se pas skandimit të kontratës të operatorit për furnizim me ushqim janë në një fazë tranzitore, ku po furnizohen përmes kontratave që janë të lidhura nga Autoritetin Qendror të Prokurimit, derisa tha po ndihmohen vetëm me personel nga Mensa e studentëve dhe Shërbimi Korrektues.
Maqedonci gjatë raportimit në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje tha se shumëllojshmëria e ushqimit për ushtarët mundet me mungu në këtë fazë deri sa të zgjidhet situata e operatorit ekonomik, i cili po trajtohet nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Para deputetëve, ministri Maqedonci foli edhe për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, ku tha se deri tani gjatë vitit 2024 janë larguar 119 ushtarë vullnetarisht, mirëpo shtoi se për 300 pozita të reja të rekrutimit kanë aplikuar 1555 persona.
Ministri Maqedonci tha se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të klasifikuar me asnjë operatorë për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së, por pranoi se një kontratë e njëjtë fillimisht është klasifikuar dhe më pas deklasifikuar, por që nuk dha detaje të tjera pasi tha diskutimi në komision duhet të bëhet me dyer të mbyllura.
“Aktualisht jemi në koordinim dhe në punë e sipër për të zgjidhur çështjen e shërbimit të ushqimit. Kontrata aktuale është subjekt i trajtimit nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe porsa të përfundojë ne do të japim informacion shtesë. Fokusi ynë është që të ndërtojmë një koncept të ri që do të garanton vetëqëndrueshmëri në ushqim për FSK-në. Koncept i cili do të praktikohet në vazhdimësi. Normalisht ne jemi në një situatë pak më të vështirë këtë periudhë për shkak të stagnimit të kësaj çështje të kontratës dhe tranzicionit të shërbimit të ushqimit me kapacitete vetanake, duke shfrytëzuar furnizimin me autoritetin qendror të prokurimit. Arsyet që kanë ardhur deri këtu janë kryesisht për shkak të tej zgjatjes në aspektin e viteve të problemit të furnizimit të qëndrueshëm të FSK-së. Prej vitit 2015 deri në vitin 2024 për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata ekstrem emergjente për çështjen e ushqimit. Kjo ka bërë që ne të vlerësojmë që ne duhet të shikojmë dhe analizojmë këtë aspekt dhe kemi ardhur në përfundim se ne duhet të bëjmë një zgjidhje afatgjate për çështjen e ushqimit”, tha ai.
Mosvazhdimi me të njëjtin operatorë ekonomik për furnizim me ushqim të ushtarëve të FSK-së e mirëpriti deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai dha disa shembuj që sipas tij i njëjti operatorë nuk ka dërguar pije siç ka qenë e paraparë në kontratë, mirëpo ushtarët kanë pi një imtim siç tha të “Coca Cola”.
Megjithatë, ai tha se mbetja pa ushqim në kazermat e FSK-së është për keqardhje dhe shqetësuese.
“Unë e kam pa raportin e auditimit dhe nxjerri lista se çfarë ushqimi dhe pije që duhet të përmbahen, pasi ushtarët janë të rinjtë. Besoni se aty shkruhet Coca-Colë origjinale por ai e pinte një tjetër që s’po dua me i thënë emrin por është ngjyrë këpucëve, ujë dhe sheqer me bo me pi ta prish lukthin. Me pi djemtë tanë i kemi shkatërruar, mirë që është ndal. Por nuk arsyetohet mbetja pa ushqim në kazermë qofshin me operatoren të ri”, theksoi ai.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se Ministria e Mbrojtjes ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur pasi ka qenë e ditur se me 30 shtator skadon kontrata për furnizim me ushqim për ushtarët.
Ai tha se sigurimin e ushqimit nga vet FSK-ja është një koncept që se praktikon asnjë vend anëtarë i NATO-s, por gjithmonë kontraktohen operatorë të jashtëm.
“Është e para herë sa kuptoj unë që ka pasur tendenca që kjo procedurë të klasifikohet fillimisht si sekrete dhe pastaj si procedurë ekstreme emergjente. Po flasim për një çështje që ju keni qenë në njohuri se kur skadon kontrata e operatorit ekonomik për të furnizuar me ushqim. Kjo ka qenë një kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur dhe m’i ngrit të gjitha procedurat se kur përfundon ajo kontratë ju të përzgjidhni operatorin më të mirë dhe kualitativ. Gjithmonë duke u bazuar në disa standarde, veçanti në ato standarde të NATO-s…Ju e dini shumë mirë se një prej operatorët më të besueshëm për forcat e NATO-s kudo në glob është një shqiptar, i cili furnizon me ushqim. Si është e mundur kur ne kemi operatorë të certifikuar që janë të besueshëm për Britaninë e Madhe, ShBA-në nuk mundemi me gjetë operatorë të besueshëm për FSK-në”, deklaroi Quni.
Pavarësisht kësaj, deputeti nga LVV-ja, Dimal Basha e konsideroi të domosdoshëm vetëqëndrueshmërinë e FSK-së sa i përket ushqimit të ushtarëve. Ai tha se i njëjti operatorë ekonomik (Beni Dona)ka marrë tenderë për 12 vjet radhazi në FSK, por që ka pasur raste të shpeshta të helmimit të ushtarëve.
“S’u bo temë kaq e madhe kur ushtarët janë helmuar me ushqimin që kanë marrë nga këta operatorë ekonomik. Është ngrit shqetësimi kur një operatorë ekonomik që ka marrë tenderin për 12 vjet rend bëhet temë…Mendoj se shqetësim për mua ka qenë helmimi i ushtarëve. Disa prej raporteve të institucioneve kemi aty se ky operatorë ekonomik që ka ushqyer ushtarët ka sjell mish prej Brazilit dhe janë helmuar ushtarët tonë. Ky është shqetësimi jonë”, tha Basha.
I pyetur për raportet me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, ministri Maqedonci tha se mund të ketë mospajtime, por që nuk ka raporte të këqija me të njëjtin.
Ai nuk pranoi të diskutojë për emra të kompanive të tjera që kanë aplikuar për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së.
“Sa i përket çështjes së raporteve(me zëvendësministrin Shemsi Syla), vlerësoj se në çdo shoqëri, rreth dhe çdo institucion njerëzit mund të kenë mospajtime në aspektin sesi shohin gjërat dhe vlerësojnë çështje të caktuara. Por kjo nuk nënkupton raporte të këqija personale apo ndër njerëzore me zëvendësministrin”, theksoi Maqedonci.
Sa i përket largimit të ushtarëve nga FSK-ja, ministri Maqedonci tha se gjatë këtij viti deri tani janë larguar 119 ushtarë në mënyrë vullnetare.
Mirëpo ai tha se është inkurajuese që për 300 pozita të lira për ushtarë kanë aplikuar 1555 persona.
“Në vitin 2024 kemi 119 ushtarë që vullnetarisht kanë kërkuar ndërprerjen e shërbimit, që është diku tre për qind e totalit të numrit aktual që i kemi në FSK. Normalisht, për ne, mua dhe komandantin e FSK-së çdo largim është i dhimbshëm. Për ne është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme që të kemi njerëz në FSK, sidomos ata që përgatisin dhe edukojnë për të qenë pjesë e FSK-së. Për këtë qëllim kemi kërkuar nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore që të bëjnë një plan për mbajtjen e personelit. Nuk është vetëm trend largimi te ne, psh në Mbretërinë e Bashkuar janë 6.5 për qind e ushtarakëve britanik që kanë lënë ushtrinë vetëm gjatë vitit 2023. Por çka është për t’u theksuar është fakti dhe jemi të inkurajuar se kemi interesim të jashtëzakonshëm për bashkëngjitje të FSK-së. Deri tani janë 1555 aplikues që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FSK-së. Kjo i bien gjashtë pjesëtarë për një pozitë për 300 pozita”, shtoi ai.
Detaje më të mëdha arsyet e largimit dhe pozitat e tyre i dha ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në FSK, kolonelë, Arife Halili.
Ajo tha se përveç largimit të 119 pjesëtarëve të FSK-së deri tani ka pasur edhe 77 pensionime.
“Në bazë të deklarimeve të vetë pjesëtarëve që kanë bërë për ndërprerje të shërbimit, mbi 80 për qind janë migrim jashtë vendit dhe bashkim familjarë. Ka një numër prej tyre që nuk duan të tregojnë dhe thonë vetëm për shkaqe personale. Ka edhe shkaqe të tjera që është një përqindje shumë e vogël që janë specifikuar në kërkesat e tyre. Në këtë numër 119 janë edhe ata që kanë bërë kërkesa dhe ndërprenë shërbimin në fund të tetorit apo fillim të nëntorit. Në gradën ushtarë kemi 71 pjesëtarë që kanë ndërprerë shërbimin për këtë vit. 22 janë në gradën e parë të nënoficerit, 17 janë me gradën e dytë të nënoficerit, kurse grada euro 7, euro 8 dhe euro 9 që janë nënoficer nuk kemi ndërprerje të shërbimit…Është grada rreshter dhe rreshter shtabor, ndërkaq në gradën e togerit dhe majorit e kemi një ndërprerje të shërbimit vullnetar”, tha ajo.
Mirëpo për numrin e aplikuesve u shpreh i shqetësuar deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili krahasoi me vitin 2020, ku tha se atëherë për 400 vende kanë aplikuar 5400 persona.
“Në kohë pandemie në vitin 2020 për 400 vende për rekrutë të ri kanë aplikuar 5400. Në 5400 ke mundur me nxjerr më të mirën, kualitetin, kurse për 300 vende aplikojnë 1500. Kjo do të thotë se ka rënie të interesimit”, theksoi Quni.
Komisioni më pastaj vazhdoi mbledhjen të mbyllur për media.