UBT News

Për shkak të protestës së serbëve do të bllokohet përkohësisht rruga kryesore në Graçanicë

Rruga kryesore në Graçanicë do të bllokohet përkohësisht nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës së serbëve. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që përgjatë kësaj kohe të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Protesta e serbëve vjen pasi Policia e Kosovës arrestoi Dragisha Milenkoviqin për krime lufte kundër popullatës civile.

“Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës”, është theksuar në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Arrestimi i serbit për krime lufte ka ndodhur të mërkurën, pas disa hetimeve nga ana e autoriteteve të Kosovës.

“Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative”, është thënë në njoftimin e PK-së.

Të mërkurën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ndaj personit të arrestuar “janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”.

Exit mobile version