UBT News

Për një vit shënohen tetë raste me HIV në Kosovë

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), përgjatë një viti, pra gjatë 2021-ës janë raportuar tetë raste me HIV, prej tyre një fëmijë nën moshën 15-vjeç.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në një raport mbi epideminë e HIV/AIDS-it, tregon se që nga viti 1986, kur në Kosovë është paraqitur rasti i parë, janë shënuar 139 raste pozitive. 50 prej tyre kanë humbur betejën me këtë virus.

“Me 1 dhjetor shënohet Dita Botërore e AIDS-it, ditë e cila në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje dhe njëkohësisht vazhdon të jetë një çështje me rëndësi globale e shëndetit publik. Kosova klasifikohet si vend me prevalencë te ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë droga (PID) dhe femrave punëtore të seksit (FSK). Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV. Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor te vitit 2021, në Kosovë janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS. Numri më i madh i takon gjinisë mashkullore (73%). Grup mosha më e atakuar është 25-34 vjeç (31%) dhe grup mosha 35-44 po ashtu 31%. Deri më tani 50 kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2021, janë raportuar 8 raste me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti MSM dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç”, ka njoftuar IKShPK.

IKShPK ka publikuar edhe të dhëna që tregojnë se në fund të vitit 2020, 680.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e shkaqeve që ndërlidhen me HIV, ndërsa 1.5 milionë të tjerë janë të infektuar.

Disa të dhëna të IKShPK-së:

• Në fund të vitit 2020 rreth 38 milionë njerëz jetonin me HIV.

• Llogaritet se 1 në 5 njerëz që jetojnë me HIV nuk e dijnë se janë të infektuar.

• 79.3 milionë njerëz janë infektuar me HIV që nga fillimi i epidemisë. Deri tani nga HIV-i kanë ndërruar jetë 36.3 milionë njerëz.

• Gjatë vitit 2020, kanë vdekur 680 mijë njerëz si pasojë e shkaqeve që ndërlidhen me HIV, ndërsa 1.5 milion tjerë janë infektuar.

• Llogaritet se rreth 62% të infeksioneve të reja në mbarë botën i takojnë grup moshave 15-49 vjeç dhe grupacioneve të veçanta (narkomanët, punëtorët e seksit, transgjinorët, të burgosurit, meshkujt që kanë seks me meshkuj).

• HIV infeksioni është i pashërueshëm. Megjithatë, terapia efikase antiretrovirale mund ta kontrollojë virusin dhe të ndihmojë parandalimin e bartjes së infeksionit tek njerëzit tjerë. 73% e njerëzve që jetojnë me HIV morën terapi antiretrovirale (ART) në vitin 2020.

Exit mobile version