UBT News

Për katër ditë 471 vetura me targa ilegale në veri u konvertuan në RKS

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për katër ditë.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se regjistrimi po ndodh pasi në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq dhe të tjerë.

Në fund, ministri i Punëve të Brendshme tha se kjo është arritur falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi.

“Qytetarët tanë i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për 4 ditë. Kjo pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm. Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste. Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës. Shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë. Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi”, shkroi ai në Facebook.

Exit mobile version