UBT News

​“Për Identitet dhe Dinjitet” në Preshevë do të marshohet për të drejtat e shqiptarëve atje

“Për Identitet dhe Dinjitet” do të jetë sërish moto e protestës së organizuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ata kanë vendosur që sërish të marshojnë kundër diskriminimit të vazhdueshëm që po u bëhet nga ana e Serbisë. Marshi i shqiptarëve në Preshevë do të nisë nga stadiumi i qytetit dhe do të vazhdojë deri tek qendra e këtij qyteti.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu tregon se marshi do të mbahet më 23 shtator nga ora 13:00 në Preshevë.

“Dje Këshilli Organizativ kemi marrë vendim që të publikojmë lajmin se protestat vazhdojnë. Ju e dini se më 12 gusht e kemi pasur një protestë në Bujanoc, në atë protestë ne kemi paralajmëruar se reagimi do të vazhdojë. Dhe ky është aktiviteti i dytë ose organizimi i dytë të cilin e realizojmë në kuadër të fushatës kundër diskriminimit që shteti i Serbisë po e bën kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për dallim nga Bujanoci, ku e patëm një formë tjetër të organizimit, në Preshevë kemi vendosur që ta realizojmë protestën përmes një marshi. Ku fillojmë nga stadiumi i qytetit të Preshevës deri tek qendra e qytetit, deri para Komunës së Preshevës”, njofton ai.

Edhe në këtë organizim, Lutfiu shton se do të kërkohen të drejtat dhe do të refuzohet diskriminimi i vazhdueshëm i shqiptarëve.

“Edhe në këtë marsh kërkesat tona janë të njëjta. Kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, do t’i qesim në pah të gjitha format e diskriminimit të cilët me vite po i realizojnë Serbia dhe normalisht i qesim në pah të gjitha ato marrëveshje dhe zotimet që Serbia i ka marrë karshi komunitetit shqiptar, ku në shumicën e marrëveshjeve kanë qenë ndërmjetësues edhe faktori ndërkombëtar, por që Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar ato marrëveshje”, shton Lutfiu.

Pas protestës së parë e cila u mbajt muajin e kaluar në Bujanoc, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë se ka pasur reagime të partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ka pasur reagime të zyrtarëve të SNS-it, të partisë së Vuçiqit, ka pasur reagime edhe të trupit koordinues, organ i cili është i themeluar nga Qeveria e për jugun e Serbisë. Pastaj ka filluar një iniciativë që për ne ka qenë ofenduese, ku drejtori i trupit koordinues Nenad Mitroviq në bashkëpunim me tashmë këshilltarin e veçantë të ministrit për të Drejtat e Njeriut, Demo Berisha, tentojnë të realizojnë një iniciativë për çështjen e pasivizimit të adresave, një iniciativë të cilën dëshirojnë ta zhvillojnë në një tryezë për të diskutuar me përfaqësuesit shqiptar, gjë që ne e kemi refuzuar sepse Demo Berisha nuk mund të përfaqësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe nuk paraqet asnjë garancë as trupi koordinues si organ i qeverisë që të diskutojmë problemet e sfidat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thekson kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Pas protestës, serbët kanë vendosur dy mbishkrime me thirrje për vdekjen e shqiptarëve, por që autorët ende nuk janë përballur me drejtësinë.

“Ne i kemi njoftuar (ambasadat) dhe ka pasur edhe reagime. Normalisht që është dënuar ajo gjuhë e urrejtjes. Faktikisht organizimi i protestës po i shpërfaq nacionalistët, të cilët sikur të ekzistonin rrethanat e përshtatshme për ta, ata do të ishin destabilizues dhe keqbërës për vendin tonë. Por, normalisht imagjino ende nuk kemi përgjigje nga autoritetet përgjegjëse për autorët e këtyre mbishkrimeve që paraqesin gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve”, shprehet Lutfiu.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu tregon se do të dërgojnë kërkesën për pjesëmarrje e mbështetje të marshit të gjithë akterëve, përfaqësuesve të institucioneve e shoqërisë civile. Ai pret që të ketë numër të madh të qytetarëve të cilët do të marshojnë për të drejtat e tyre në Preshevë.

Exit mobile version