Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, nuk është konstituar as pas tentativës së tretë shkaku i mungesës së deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryesuesi në këtë komision, Rashit Qalaj ka theksuar nevojën e konstituimit të këtij komisioni.
“Është edhe një tentativë që hera tretë që po i presim kolegët në pushtet, por sërish po mungojnë. Gjithmonë po themi se është i nevojshëm për shkak të dyshimeve të keqpërdorimit të rezervave shtetërore dhe pikërisht që të zbardhim të vërtetën po bëjmë përpjekje për të konstituar këtë komision. Ne do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të konstituar këtë komision. Takimi i radhës të jetë të premten, të hënën dhe të martën”, tha Qalaj.
Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj ka akuzuar partinë në pushtet për pengesën që po i bënë për të konstituar këtë komision.
“Ata janë pengesë dhe po shihet se këtu po fshihet, asnjëherë në praktikat parlamentare pas votimit në parlament nuk ka ndodhë që të pengohet konstituimi i komisionit”, tha Lekaj.
Ndërsa, deputetja nga LDK, Valentina Bunjaku Rexhepi tha se janë të papranueshme veprimet e pozitës në këtë drejtim.
Sipas saj, me mungesën e pozitës në këtë komision po dëshmohet se nuk janë të interesuar që partia në pushtet t’i qojë keqpërdoruesit në burg.
“Është e papranueshme nga ana e pozitës. Ata kanë kundërshtuar këtë dhe e dinë arsyen, nuk janë të interesuar të qojnë hajnat në burg, në pozitë po bashkëpunojnë me ta. S’kemi tjetër derë përveç të bashkëpunojmë me media”, tha Bunjaku-Rexhepi.