UBT News

Për herë të parë, Skoda bëhet marka e tretë më e shitur e veturave në Evropë

Për herë të parë në historinë e saj 130-vjeçare, Skoda është renditur si marka e tretë më e shitur e veturave në Evropë. Gjatë gjashtë muajve të parë të 2025, dërgesat në këtë kontinent arritën në 409,100 njësi, që paraqet rritje prej 10.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prodhuesi çek e ka vendosur si synim të forcojë pozicionin e tij në mesin e tri markave kryesore në Evropë deri në fund të dekadës.

Me rritjen e shitjeve në gjysmën e parë të këtij viti, Skoda tejkaloi rezultatin e vitit të kaluar, kur ishte në vendin e katërt. Më 2022 ishte në vendin e dhjetë, ndërsa në 2023 u rendit e shtata në listën e markave më të shitura në Evropë.

Skoda ka bërë përmirësim të vazhdueshëm dhe këtë vit është ngjitur në vendin e tretë, pas Volkswagen dhe Toyota, duke lënë pas marka si BMW dhe Renault. Tregu më i madh i kompanisë është Gjermania, ku janë dorëzuar 100,700 vetura.

Skoda Octavia mbetet modeli më i shitur me mbi 80,000 njësi të dorëzuara. Veturat elektrike të Skodas po vazhdojnë të jenë shumë të pëlqyera, veçanërisht modelet Enyaq dhe Elroq.

Kompania ka dorëzuar 72,000 vetura elektrike dhe 21,400 modele hibride me rrymë (plug-in) në Evropë. Ato përbëjnë 22.8 për qind të shitjeve totale –rritje krahasuar me 9.4 për qind sa ishte vitin e kaluar.

Exit mobile version