UBT News

Për herë të parë, konservatorët francezë zgjedhin një grua si kandidate për presidente

Valérie Pécresse do të jetë kandidatja për presidente e “Les Républicains”, përcjell UBT News.

Ajo fitoi 61% të votave në raundin përfundimtar të zgjedhjeve paraprake të partisë. Ndërsa është hera e parë që partia konservatore franceze zgjedh një grua si kandidate të saj.

“Unë jam duke menduar për të gjitha gratë franceze sot dhe u them ‘faleminderit’ anëtarëve të partisë për guximin e tyre”, tha Pécresse në një konferencë për shtyp.

“E djathta republikane është kthyer”, u tha ajo mbështetësve.

Një politikane me përvojë, Pécresse, 54 vjeçare, ka qenë ministre e arsimit të lartë, për buxhetin dhe ka qenë zëdhënëse e qeverisë nën ish-presidentin, Nicolas Sarkozy, nga viti 2007 deri në 2012.

Pozicionimi i Pécresse në qendrën e djathtë mund të përbëjë një sfidë për presidentin aktual Emmanuel Macron, i cili arriti të tërheqë votat e mbështetësve të “Les Républicains” në zgjedhjet e mëparshme.

Ajo tha se veprimi i saj i parë si presidente do të ishte t’i jepte fund javës së punës 35-orëshe të Francës, në mënyrë që punonjësit të punojnë dhe të fitojnë më shumë.

Ajo gjithashtu ka mbështetur një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit, duke thënë se njerëzit që kanë hyrë ilegalisht në vend duhet të deportohen./UBTNews/

Exit mobile version