Asnjë i dënuar me burgim efektiv për korrupsion të nivelit të lartë.
Për 13 vjet, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, prokurorët kanë ngritur 298 aktakuza kundër 216 politikanëve – pjesa dërrmuese e tyre për vepra penale të korrupsionit.
Nga gjithsej 298 aktakuzat e ngritura, 109 janë ngritur ndaj zyrtarëve të nivelit qendror, kurse 189 janë ngritur ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të nivelit lokal.
Në këtë grup të politikanëve janë 55 raste, në të cilat janë akuzuar zyrtarë shtetërorë të profilit të lartë, por që asnjë prej tyre nuk është dënuar me burgim efektiv me aktgjykim të formës së prerë.
Pse të zyrtarët e politikës nuk dënohen me burgim efektiv dhe pse rastet ndaj tyre zvarriten – kjo ka qene tema e episodit të parë të emisionit‘Iustitia’, që transmetohet çdo dy javë dhe prodhohet nga Radio Evropa e Lirë dhe Betimi për Drejtësi.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), janë vetëm tre politikanë të profilit të lartë, të cilët janë akuzuar për korrupsion dhe ndaj të cilëve ka dënime përfundimtare, por të cilat nuk janë dënime me burgim efektiv.
Nexhmedin Arifi, ish-kryetar i Vitisë, është dënuar me 18 muaj burgim me kusht; Sreqko Spasiq, ish-kryetar i Kllokotit, është dënuar me dhjetë muaj burgim me kusht, si dhe Svetisllav Ivanoviq, kryetar i Novobërdës, është dënuar me 4,500 euro gjobë.
“Institucionet kryesore për inicim dhe hetim të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, siç janë Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit apo edhe Prokurori i Shtetit, dëshmojnë se janë duke dështuar që t’i iniciojnë këto raste dhe t’i hetojnë rastet, në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë të fuqishëm të politikës apo grupeve të caktuara të interesit, e kjo bëhet qoftë me mosguxim për t’i iniciuar këto raste, qoftë edhe qëllimisht”, thotë Leotrim Gashi, hulumtues në IKD.
Rastet e profilit të lartë
Trajtimi i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë rezulton se nuk është i barabartë nga sistemi gjyqësor, i cili vazhdimisht shkel afatet ligjore, për t’i proceduar ato në drejtim të një procesi të drejtë gjyqësor dhe drejt një vendimi final.
Emisioni ‘Iustitia’ ka identifikuar disa prej rasteve më reprezentative, në të cilat prokuroria ka ngritur aktakuza ndaj profilit të lartë, e të cilat gjyqësori po i zvarrit me vite:
Rasti “Toka”, ku është i përfshirë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, që sipas Prokurorisë Speciale, ka qenë edhe udhëheqës i këtij grupi kriminal.
Rasti “Vizat”, ku akuzohet Ukë Rugova, e ku përmendet edhe emri i ish-ambasadorit italian në Kosovë, Michael Giffoni.
Në rastin “Qemajl Mustafa dhe të tjerët”, është i përfshirë ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 persona të tjerë për veprat penale “krim i organizuar”, “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Rasti “FAN” ka protagonist Naser Osmanin të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai akuzohet për kohën sa ishte nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Osmani bashkë me gjashtë persona të tjerë, akuzohen se kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për veten ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 eurosh, në lidhje me privatizimin e Ndërmarrjes Shoqërore “FAN”.
Rasti “Stenta”, përfshin në aktakuzë mbi 60 persona, ndër ta edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani. Ata akuzohen për vepra penale korruptive.
A ka zvarritje të lëndëve të profilit të lartë të korrupsionit?
Gjykata më e ngarkuar në Kosovë, në të cilën trajtohen lëndët e profilit të lartë të korrupsionit, është Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj gjykate, Arben Hoti, i cili vetë ka gjykuar rastet e këtyre profileve, thotë se këto lëndë janë komplekse dhe se për këtë arsye mund të ketë vonesa, por jo zvarritje.
“Unë do të thosha se kemi vonesa në zgjidhjen e lëndëve të profilit të lartë, sepse zvarritje ka një konotacion tjetër, unë nuk dua të besoj se dikush i zvarrit lëndët qëllimisht, përndryshe ajo përbën shkelje disiplinore, por pse jo edhe penale. Rastet e profilit të lartë janë raste të komplikuara, të cilat, thash edhe një herë, marrin kohën e tyre, improvizimet nuk lejohen”, thotë Hoti.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, thotë se është i pakënaqur me trajtimin e rasteve, duke theksuar se duhen dënime unifikuese në rastet e korrupsionit.
“Sa i përket Prokurorisë Speciale, për të cilën unë jam përgjegjës, unë garantoj që rastet nuk do të zvarriten apo nuk do të prolongohen pa arsye. Unë kam takime të rregullta me prokurorë. Unë kërkoj raporte çdo tre muaj për rastet, të cilat zgjasin më tepër se tre muaj në hetim. I kërkoj arsyet pse nuk është ngritur akuza, çka kanë ndërmarrë prokurorët dhe çka presin të ndërmarrin në periudhën tremujore të dytë, për shembull”, thotë Blerim Isufaj.
Duke parë zvarritjet e shumta të seancave gjyqësore, sidomos në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, Këshilli Gjyqësor ka diskutuar këtë temë, duke e vlerësuar shtyrjen e seancave si shumë shqetësuese. Njësoj shqetësuese vlerësohet edhe politika e dënimeve në rastet e korrupsionit.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, thotë se nuk është i kënaqur me politikën ndëshkimore.
“Ndoshta ka të dënuar. Ne e kemi një deputet që veç është bërë e madhe që është dënuar me dënim efektiv, që të mos gjeneralizojmë që nuk ka asnjë. Janë në proces disa raste, personalisht si kryetar i Gjykatës Supreme nuk jam i kënaqur me politikën ndëshkimore, për këtë arsye jemi në një aktivitet shumë të madh si ta përmirësojmë politikën ndëshkimore”, thotë Peci.
Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet në letër i institucioneve vendore në Kosovë, ndërkohë që autoritetet ndërkombëtare, që e mbështesin Kosovën në rrugën drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, kërkojnë rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën, në pjesën ku flitet për rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit, përsërit viti pas viti, pothuajse në mënyrë identike, mungesën e rezultateve konkrete, duke vlerësuar se lufta kundër korrupsionit është ende në faza fillestare. (RFE)