UBT News

“People in Need” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me MAShT dhe shkollën “Elena Gjika”

Organizata “People in Need” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe shkollën fillore “Elena Gjika”.

Kjo marrëveshje është në kuadër të projektit “Edukimi për të gjithë-Përmbushja e të Drejtave të Fëmijëve dhe Adoleshentëve me nevoja të veçanta dhe nga komunitetet e cenueshme”. Qëllimi i këtij projekti është përmbushja e të drejtave për arsim të barabartë të këtyre fëmijëve.

Drejtori i organizatës “People in Need” në Kosovë, Ramadan Berisha tha se ky program po ndihmon fëmijët dhe prindërit në gjashtë komuna të Kosovës.

“Fatkeqësisht me fonde të limituara si dhe me pjesëmarrje gjeografike të limituar në vetëm gjashtë komuna dhe tetë shkolla dhe dy qendra burimore, por në përmbajtjen e saj ky program si pilot program përfshin realitetin më të mirë multi-etnik të Kosovës. Si e tillë është duke u implementuar që një kohë dhe kanë filluar të tregohen rezultatet e para pozitive. Po ndihmohen fëmijët, prindërit e fëmijëve të cilët kanë nevojë për një shërbim të tillë, stafi i sistemit arsimor të Kosovës duke i trajnuar dhe në fund fare edhe OJQ-të lokale në procesin e transferimit të kësaj njohurie nga niveli ndërkombëtar në nivelet lokale”, ka thënë ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se në shkollën “Elena Gjika” po vijojnë mësimin, fëmijë të komuniteteve të ndryshme ku ofrohen shërbime për të gjitha kategoritë. Ajo ka shtuar se MAShT është i përkushtuar për arsimin gjithëpërfshirës dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë fëmijët.

“Jemi shumë të interesuar dhe po punojmë edhe për sigurimin e zbatimit të këtyre politikave në praktikë. Synimi jonë është që të gjithë fëmijët të cilët janë të përfshirë në edukim, përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta në këtë rast jo vetëm të kenë ambiente të përshtatshme për ta, por të ndihmojmë edhe në zhvillimin e kompetencave që ndihmojnë në pavarësim për gjatë gjithë jetës së tyre”, tha ajo.

Më tej, ajo u zotua se në projektligjin për buxhetin e vitit 2022 është paraparë punësimi i 100 asistentëve për këta fëmijë.

“Si Ministri e Arsimit jemi siguruar që në buxhetin e vitit 2022 të buxhetojmë edhe punësimin e 100 asistentëve për vitin e ardhshëm. Dhe kjo është synimi jonë që së paku gjatë katër viteve të qeverisjes të kemi për çdo vit punësimin e 100 asistentëve gjatë vitit”, ka deklaruar Nagavci.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga organizata ndërkombëtare “People in Need” dhe dy organizata tjera lokale.

Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tregoi se synim mbetet përmirësimi i situatës së këtyre fëmijëve në Kosovë.

“Përmes intervenimeve si këto ne duam që të përmirësojmë situatën e Kosovës dhe njerëzve të saj në nevojë. Mirëpo, që të kemi një impakt më të gjatë dhe më të mirë, neve na duhen edhe partnerë të tjerë. Duhet të pranojë që ne jemi duke parë shenja inkurajuese në këtë drejtim”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek tha se nuk është hera e parë që mbështesin Kosovën me projekte të tilla.

“Që nga viti i kaluar, organizata ‘People in Need’ ka implementuar projekte të ndryshme, qoftë përmes ndihmës së Republikës Çeke ose përmes projekteve të ndryshme. Programet tona e kanë për qëllim përfshirjen e njerëzve nga komunitetet e cenueshme. Ne kemi ndihmuar grupe të ndryshme të njerëzve me nevoja të veçanta. Dhe siç e ceka ne i kemi dhënë fokus të veçantë komunitetit që kanë probleme në të parë”, shtoi ai.

Për drejtorin e organizatës “People in Need”, Simon Panek është e papranueshme që fëmijët me nevoja të veçanta të mos trajtohen barabartë si fëmijët tjerë.

“Ne nuk e dimë nëse dikush prej këtyre fëmijëve do të jetë ministër i ardhshëm i financave dhe nuk është ideja që vetëm të krijojmë ambient për përmbushjen e të drejtave të tyre, por t’ju japim qasje dhe mundësi për një zhvillim të barabartë të të gjithëve. Nuk është mirë që një fëmijë i klasës së gjashtë apo shtatë të largohet ose të lihet anash edhe të mbes mbrapa dhe të mos i jepet një shanse e barabartë me gjithë fëmijët e tjerë”, ka deklaruar Panek.

Në shkollën fillore “Elena Gjika” vijojnë mësimin fëmijë të komunitetit shqiptar dhe turk. Po ashtu, është mundësuar edhe përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Exit mobile version