Pentagoni ka mohuar kategorikisht akuzat ruse se firmat private amerikane të sigurisë po dërgojnë kimikate në Ukrainë.
Të martën, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se kompanitë amerikane dërguan “tanke me përbërës kimikë të paidentifikuar” në Ukrainën Lindore të shkatërruar nga lufta për të “kryer provokime”, sipas mediave shtetërore ruse.
Kur u pyet në lidhje me komentet e Moskës, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, John Kirby tha se akuza e Shoigut ishte “plotësisht e rreme”.
Shoigu pretendoi gjithashtu se 120 punonjës të firmave amerikane po operojnë në dy fshatra të Ukrainës, duke trajnuar trupa dhe duke ngritur pozicione zjarri në ndërtesa banimi dhe objekte të ndryshme.
Kujtojmë se një grumbullim i supozuar i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën në fillim të këtij muaji ngjalli frikën për një pushtim të mundshëm.
Kremlini mohon se po planifikon një pushtim në Ukrainë. Moska fajëson Shtetet e Bashkuara dhe zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore për nxitjen e tensioneve.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se prania e çdo sistemi raketor të SHBA-së ose NATO-s në Ukrainë është “sfida më serioze” për sigurinë e vendit të tij.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha gazetarëve se Uashingtoni po punon me aleatët e tij evropianë për të trajtuar atë që ai e quajti “agresion rus” me diplomaci./UBTNews/