Pentagoni tha të enjten se kishte prova të një plani nga Moska për të filmuar një sulm të rremë ukrainas ndaj rusëve, për të justifikuar një sulm të vërtetë ndaj fqinjit të saj properëndimor.
“Ne kemi informacion se rusët ka të ngjarë se duan të sajojnë një pretekst për një pushtim”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Ai u tha gazetarëve se Uashingtoni besonte se qeveria ruse ka në plan të organizojë një sulm nga ushtria e Ukrainës ose forcat e inteligjencës “kundër territorit sovran rus, ose kundër njerëzve që flasin rusisht”. Kjo e fundit mund t’i referohet një popullsie të konsiderueshme rusisht-folëse brenda Ukrainës.
Sipas tij, Rusia do të prodhonte një video propagandistike e cila do të përfshinte kufoma dhe aktorë, dhe imazhe të vendeve të shkatërruara.
As Kirby dhe as zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili gjithashtu komentoi planin e supozuar, nuk ofruan prova për të mbështetur këtë pretendim.
Kirby tha se pjesë e planit do të ishte që pajisjet ushtarake ukrainase të përdorura në të, të duken si të furnizuara nga Perëndimi, duke justifikuar më tej reprezaljet ruse kundër Ukrainës.
Price tha se plani i supozuar është “një nga një numër opsionesh që qeveria ruse po zhvillon si një pretekst të rremë për të inicuar dhe justifikuar potencialisht agresionin ushtarak kundër Ukrainës”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinin nëse Moska ka vendosur të vazhdojë me planin.
I shtyrë nëse kishte prova për një plan të tillë, Price tha se vinin nga inteligjenca amerikane, por nuk ofroi më shumë detaje./UBTNews/