Avokati serb, Cedomir Stojkoviq ka deklaruar se barrikadat në Urën e Ibrit po u dërgojnë mesazh të rremë serbëve në veri të Kosovës se gjoja “territori i veriut të Kosovës do të integrohet në Serbi dhe jo në Kosovë”. Konsideron se përmes tyre, autoritetet serbe po i mbajnë nën kontroll dhe manipulojnë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.
“Kjo është e vetmja arsye pse autoritetet në Beograd duan që ato barrikada të vazhdojnë. Interesi i serbëve nga Kosova nuk është fokusi i tyre. Interesi real i serbëve nga Kosova është që të barazojnë të drejtat e tyre me të drejtat e qytetarëve evropianë dhe kjo mund të arrihet vetëm me: hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare; pranimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian”, shkruan ai në X.
Moshapja e urës, Stojkoviq thotë se e pengon trashëgiminë e Evropës dhe se mendimet e imponuara nga autoritetet serbe në këtë drejtim, kanë një kosto shumë të madhe.
“Barrikadat në urë i pengojnë këto procese dhe nuk përfaqësojnë as trashëgiminë e Evropës, as trashëgiminë e Bashkimit Evropian, as nuk janë pasqyrim i së ardhmes së dëshiruar as të serbëve në Serbi dhe as të serbëve në veri të Kosovës. Mendimet e gabuara të imponuara nga autoritetet në Beograd në këtë drejtim kanë një kosto të madhe, e cila reflektohet në varfërimin e rajonit, veçanërisht në veri të Kosovës, sepse aty ku është ngrirë konflikti, ngrihet edhe ekonomia. Dhe aty ku ka ende barrikada në ura – ka edhe barrikada për investime dhe zhvillim ekonomik”, përfundon ai.
Ditëve të fundit ka pasur qëndrime të ndryshme të ndërkombëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit. Ndërsa sipas disa ekspertëve, asnjëherë nuk ka pasur moment më të favorshëm për hapjen e saj./UBTNews/