Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se të dyja vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin për të fuqizuar marrëdhëniet e ndërsjella, duke shtuar se janë të gatshëm që të shkëmbejnë përvojat me Kosovën.
Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Pendarovski tha se duhet një zgjidhje reciproke për dialogun Kosovë-Serbi, që nuk e rrezikon rajonin.
“Maqedonia e Veriut dhe Kosova si fqinje do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, kurse unë theksova që ta intensifikojmë dialogun edhe më tutje. Bëhet fjalë për dyja vende mike, për të fuqizuar edhe më shumë marrëdhëniet mes shteteve. Në lidhje me politikën e jashtme dhe ne i mbështesim dhe jemi në dispozicion që t’i tregojmë përvojën tonë në aspiratën në BE dhe NATO. Jemi të gatshëm që të kemi një rajon me prosperitet ekonomik dhe e mbështesim Kosovën në nisma rajonale. Maqedonia e mbështet zgjidhjen reciproke që nuk do ta rrezikojë rajonin”, tha ai.
Presidentja Osmani tha se synim i shtetit të Kosovës mbetet anëtarësimi ne organizatat ndërkombëtare. Ajo i ka kërkuar ndihmën Pendarovskit në lidhje me tendencat e Rusisë për ndikim në Ballkanin Perendimor.
“Ekziston vullneti që ta rrisim bashkëpunimin ndërmjet dy shtetet dhe të thellojnë marrëdhëniet bilaterale. Dyja shtet kanë të njëjtat arsye për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian mbetet njëri nder prioritet tona dhe do të punojmë së bashku për ta ndihmuar njëra-tjetrën. BE-ja ende nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave, dhe në të njëjtën kohë e falënderoj këtë shtet për qasjen ndaj Kosovës në liberalizimin e vizave. Të dyja shtetet e kemi të njëjtin synim drejt Bashkimit Evropian. Presim përkrahje edhe më tutje të Maqedonisë, dhe siç e dini që Kosova ballafaqohet nga tendencat e Rusisë dhe jemi të përkushtuar që t’i refuzojmë këto ndikime destabilizuese”, tha Osmani.
Pas takimit me Osmanin, Pendarovski do të zhvillojë takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.