OpenAI njoftoi të martën se ka mbyllur disa llogari të ChatGPT-së që dyshohet se kishin lidhje me entitete qeveritare kineze.
Në raportin e fundit mbi kërcënimet publike, kompania tha se disa përdorues kishin kërkuar nga chatbot-i që të përshkruante mënyra për “dëgjimin” e mediave sociale dhe metoda të tjera monitorimi veprime që shkelin politikat e saj të sigurisë kombëtare.
Raporti i firmës me seli në San Francisko thekson shqetësime në lidhje me rreziqet e mundshme të keqpërdorimit të inteligjencës artificiale gjeneruese, në një kohë kur rivaliteti mes SHBA-së dhe Kinës për kontrollin e zhvillimit dhe rregullimit të teknologjisë po rritet.
OpenAI bëri të ditur gjithashtu se ka pezulluar disa llogari në gjuhën kineze që përdornin ChatGPT për të ndihmuar fushata “phishing” dhe krijim të “malware”-eve, si dhe për të hulumtuar mënyra automatizimi përmes modelit DeepSeek të Kinës.
Kompania tha po ashtu se ka ndërprerë llogaritë e lidhura me grupe të dyshuara kriminale rusishtfolëse, të cilat po përpiqeshin të përdornin chatbot-in për zhvillimin e softuerëve të dëmshëm.
OpenAI, e cila aktualisht ka mbi 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, është bërë startup-i më i vlefshëm në botë me një vlerësim prej 500 miliardë dollarësh, pas një shitjeje të fundit dytësore të aksioneve. /A.Z/UBT News/