Në Komunën e Pejës aktualisht të gjitha shkollat janë duke zhvilluar mësim me orar të plotë si dhe me prezencë fizike. Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga drejtori i Arsimit në këtë komunë, Naser Gega.
Gega deklaroi se gjendja me COVID nëpër institucionet arsimore është stabilizuar dhe numri i të infektuarve është shumë i vogël.
Sipas tij, aktualisht janë 21 mësimdhënës si dhe 173 nxënës të cilët janë të infektuar me virusin COVID, që në krahasim me mungesat e dhjetorit të vitit të kaluar kur kishte raste të shumta të gripit numri aktualisht është shumë i ulët.
“Për momentin nuk ka asnjë shkollë online, të gjitha shkollat janë duke e mbajtur mësimin me prani fizike të nxënësve. Me COVID kemi kaluar mirë me nxënës dhe mësimdhënës si komunë e Pejës në përgjithësi. Deri tani janë 21 mësimdhënës të infektuar të cilët nuk dalin në punë, shtatë punëtorë teknikë dhe 173 nxënës prej 17.000 nxënësve, pra kur e shohim shifrën është një numër relativisht i vogël për ata nuk paraqesin ndonjë mungesë të theksuar në shkollë. Ndërsa kur jemi te mungesat e nxënësve, mungesat kanë qenë shumë më të theksuara kur ka qenë gripi sezonal gjatë dhjetorit të vitit kaluar, ku ka qenë situatë me mungesa shumë të dukshme se tash”, tha Gega.
Në muajin e kaluar në komunën e Pejës kanë qenë dy shkolla me mësim online, ndërsa dy të tjera kanë qenë me skenarin B, me prani fizike dhe online, ndërkaq vetëm një shkollë në Vitomiricë një ditë nuk ka mbajtur mësim.
Gega thotë se mësimi me prezencë fizike është më i përshtatshëm për nxënësin, pasi në mësim online paraqiten edhe probleme të ndryshme si mungesa e pajisjeve apo mungesa e energjisë elektrike që i pamundëson nxënësit të kyçen.
Aktualisht, Peja është komuna e dytë me numrin më të lartë të rasteve aktive me COVID, me gjithsej 1968 të tilla. Sipas të dhënave të fundit, në këtë komunë ishin edhe 31 raste të reja me COVID. Sa i përket vaksinimit, në Pejë numërohen rreth 102 mijë të vaksinuar.