Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka konfirmuar shkarkimin e këshilltarit politik, Enis Osmani. Ai ka thënë se i njëjti nuk do të jetë nga muaji i ardhshëm më pjesë e kabinetit të tij. Kështu ka bërë të ditur ai pas mbledhjes së qeverisë, ndërkohë që është pyetur se cilat janë masat që janë marrë ndaj Osmanit, meqë i njëjti ka pranuar fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit.
Ministri Peci është përgjigjur shkurt para gazetarëve, ku konfirmoi se Osmani nuk do të jetë më pjesë e kabinetit të tij.
“Shumë shkurt, personi në fjalë nuk do të jetë pjesë e kabinetit prej muajit të ardhshëm”, tha Peci.
Më 24 janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Mitrovicë e shpalli fajtor Enis Osmanin për “falsifikim të rezultateve të votimit” të vitit 2017.
Ministri i Bujqësisë është pyetur edhe për vërshimet e muajit të kaluar, ku tha se janë duke u trajtuar nga një komision gjithëpërfshirës. Ku më pas tha se do të merret vendim nga qeveria në bazë të vlerësimit të këtij komisioni.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Hekuran Murati tha se deri në fund të vitit parashihet hartimi i strategjisë kundër korrupsionit. Ai tha se ka ende trashëgimi prej disa keqpërdorimeve të cilat duhet të adresohen.
“Miratimi i vendimit për themelimin e komisionit për hartimin e strategjisë Kundër Korrupsionit që është një komision ndërministror e që deri në fund të vitit parashihet që të hartojë strategjinë kundër korrupsionit. Është e vërtetë se me ardhjen e institucioneve të reja dhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, niveli i lartë ka ndryshuar, megjithatë ende ka një trashëgimi prej disa keqpërdorimeve edhe nëpër pozita të ulta, të cilat duhet të adresohen. Ka pasur veprime nga organet e rendit, mirëpo shpeshherë po ndodh që në organet e drejtësisë pastaj po ka ngecje, megjithatë si ekzekutiv na takon që t’i ndërmarrim gjitha hapat që të sigurojmë integritetin e gjithë zyrtarëve publik dhe që korrupsioni të çrrënjoset”, ka thënë Murati.
Ministri i Bujqësisë ka folur edhe për koncept-dokumentimin për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave, ndërkohë që bëri të ditur se gjatë kësaj jave ka nënshkruar udhëzimin administrativ për pagesa direkte.
“Të hënën me 20 shkurt kam nënshkruar udhëzimin administrativ për pagesa direkte për vitin 2023. Në janar bashkë me kryeministrin Kurti, ne kemi bërë shpalosjen e programit dhe risitë e tij për vitin 2023. Të hënën kam nënshkruar udhëzimin administrativ dhe ashtu siç është e paraparë procedura ligjore dhe administrative me datën 28 të këtij muaji ne do të bëjmë hapjen edhe zyrtarisht të aplikimit për gjithë fermerët në gjithë territorin e Kosovës dhe pagesat direkte”, ka njoftuar ai.