Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Faton Peci, ka deklaruar se partia në pushtet po bën përpjekje të vazhdueshme për të zhbllokuar ngërçin politik.
Ai theksoi se problemi nuk është emri i Albulena Haxhiut, duke shtuar se LVV është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese.
“Ne si grup parlamentar vazhdimisht po punojmë për të zhbllokuar këtë situatë. Jemi të angazhuar duke marrë pjesë në çdo seancë dhe duke kontribuar në procesin e votimit. Është e rëndësishme të sqarohet se përkundër spekulimeve të shumta për ndërrimin e emrit të kandidates për kryeparlamentare, ne nuk kemi arritur ende deri tek propozimi i një emri tjetër. Kërkojmë një proces të votimit të fshehtë. Emri i Haxhiut nuk është problemi, dhe po bëhet një padrejtësi ndaj saj pa nevojë,” tha Peci.
Ai gjithashtu foli për takimet që janë mbajtur me presidenten Vjosa Osmani, duke shpresuar që të dalin me propozime që mund të përbëjnë një rrugëzgjidhje për situatën aktuale. Sipas Pecit, shumë nga propozimet janë tashmë të njohura, por ai mbetet optimist se një marrëveshje mund të arrihet.