UBT News

PE miraton rezolutën: Këshilli i BE-së të përshpejtojë liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian (PE) miratoi dje një rezolutë për bashkëpunimin në luftën kundër Krimit të Organizuar në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që shprehu pikëpamjen e tij se lidhja e liberalizimit të vizave me Kosovën me luftën kundër krimit të organizuar është kundërproduktive pasi sipas PE, izolimi inkurajon aktivitetet kriminale.

Parlamenti Evropian në këtë rezolutë rithekson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Sipas PE-së, lufta kundër krimit të organizuar dhe avancimi i integrimit në BE janë procese reciproke përforcuese, prandaj është nevoja për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE.

Parlamenti Evropian “shpreh keqardhjen për mungesën e vullnetit të vërtetë politik midis pjesëve të elitave politike lokale për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për të eliminuar çdo element të kapjes së shtetit”.

“(Parlamenti Evropian) përsërit nevojën për të çrrënjosur lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes masave mbrojtëse të qarta kundër korrupsionit dhe ndjekjes penale efektive të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë;… është thellësisht i alarmuar nga raportet dhe pretendimet për lidhje midis figurave të nivelit të lartë politikë dhe grupeve të krimit të organizuar, ndërkohë që sistemi gjyqësor është i paefektshëm në adresimin e këtyre akuzave… Sektori i ndërtimit në Ballkanin Perëndimor është ndër më të rrezikuarit ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit,” thuhet në rezolutë.

Rezoluta u mbështet nga 531 eurodeputetë, prej të cilëve 48 ishin kundër, ndërsa 117 abstenuan. Raportuesi për rezolutën, e cila u miratua nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) në tetor, ishte eurodeputeti Lucas Mandl (EPP).

Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarcic mori pjesë në debatin, i cili u zhvillua të martën, duke kujtuar se në paketën e fundit të zgjerimit 2021, Komisioni raportoi në detaje se si krimi i organizuar vazhdon të jetë një kërcënim në rajon.

“Komisioni vëren gjithashtu se kjo është një fushë ku janë arritur rezultate, veçanërisht në luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës, kontrabandës së migrantëve, trafikimit të qenieve njerëzore, krimit të organizuar pronësor, kontrabandës së mallrave të akcizës, veçanërisht cigareve dhe armëve të zjarrit”, tha Lenarçiq.

Megjithatë, ai shtoi se ka ende shumë për të bërë.

“Kjo është arsyeja pse Komisioni mbështet plotësisht nevojën për të rritur bashkëpunimin me rajonin në luftën kundër krimit të organizuar dhe kjo është rikonfirmuar së fundmi si një nga prioritetet tona kryesore në angazhimin me Ballkanin Perëndimor në BE”, tha komisioneri.

Tonino Picula (S&D) tha gjatë debatit se krimi i organizuar i shoqëruar me korrupsionin përbën një kërcënim të madh në një rajon tashmë të trazuar.

Exit mobile version