Në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës, ajo tha se kryeministri duhet të vijë dhe të raportojë në Kuvend për atë se çfarë ka pranuar gjatë takimit që kishte dje me liderë të BE-së.
“Kemi një gjendje kaotike të deklarimeve të zyrtarëve qeveritar në raport me veriun dhe dialogun. Çfarë kemi dëgjuar prej kryeministrit pas sulmit në Banjskë është që siguria nacionale është prioritet, ndërsa mbrëmë e kemi parë se dialogu është prioritet. Pra, jo konsistencë, pa vizion, plan e strategji, Çka fituam ne, çfarë fitoi Kosova pas sulmit së 24 shtatorit? Sanksionet nuk na u hoqën, e Serbisë nuk ju vendosën, përfunduam në pranimin e një drafti të Asociacionit nga kryeministri Kurti, ndërkohë që Kosova nuk fitoi asgjë. Për më tepër nuk kemi parë se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti, cili është drafti e materia e pranuar, pse kaq shumë mos transparencë?… Kryeministri Kurti ka bërë dëme të pariparueshëm funksionimit të shtetit të Kosovës përmes pranimit të këtij drafti, sepse njohja reciproke nuk është askund, nuk e përmend kryeministri, ai përmend asociacionin, draftin, statutin, vet menaxhimin për serbët, por jo njohjen de-juro të Kosovës. Nga njohja reciproke në qendër, kemi pranim të një autonomie të serbëve të Kosovës”, tha Deliu-Kodra.
Pas deklaratës së deputetes, Deliu-Kodra reagoi kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se ky fjalim i deputetes së PDK-së “e legjitimon mospjesëmarrjen e mazhorancës”.
“Me këtë fjalim e legjitimuat plotësisht mospjesëmarrjen e mazhornancës në këtë mbledhje”, tha Konjufca.
Ndër të tjera, Kodra Deliu ka kërkuar sërish nga institucionet e BE-së të dënojnë sulmin në Banjskë të Zveçanit, dhe të vendosin masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Kërkojmë nga institucionet e BE-së që në terma më të qartë të dënojnë këto sulm dhe të vendosin masa ndaj Serbisë si përgjegjëse direkte për sulmin terrorist të datës 24 shtator. Megjithatë, shteti i Kosovës nuk e kanë shfrytëzuar e as kapitalizuar sa e si duhet këtë ngjarje në mënyrë që pozicioni ndërkombëtar i Kosovës dhe në dialog me Serbinë të fuqizohet e të faktorizohet. Fitorja e Policisë para katër jave nuk ka arritur asnjëherë që të shndërrohet në fitore të diplomacisë tonë, kjo se fundi është reflektuar edhe në Bruksel. Nuk ka sanksione ndaj Serbisë, nuk ka anëtarësim ën Këshillin e Evropës dhe nuk ka status të kanditatit për anëtar në BE për Kosovë”, Deliu-Kodra.