Partia Demokratike e Kosovës(PDK) ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas ngritjes së kallëzimit penal kundër tij nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Në një konferencë për media zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu tha se PDK tash sa kohë në forma të ndryshme ka insistuar që të ndriçohet rasti i ambasadorit Berishaj, që nga zbulimi i aferës korruptive për energji ku përflitej se ishte përfshirë ai.
Abudullahu tha se për PDK-në ka qenë skandaloze se edhe përkundër fakteve që janë sjellë më herët për këtë rast, Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë.
“Agjencia Kundër Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal kundër ambasadorit Martin Berishaj. I tillë çfarë ishte si rast, ka hapur shumë pyetje dhe dilema, ndërkaq për këtë rast, nga ana e pushtetarëve ka pasur pak e hiç përgjigje dhe ato ishin të çuditshme dhe të paargumentuara. E për rrjedhojë krejt kjo ka ngjallur me të drejtë dhe pandalshëm shumë dyshime të shumta. Për ne si Parti Demokratike ka qenë skandaloze se edhe përkundër fakteve që janë sjellë më herët për këtë rast, ambasadori Martin Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë, madje edhe nga Kryeministri edhe nga Presidentja”, tha Abdullahu.
Zëdhënësi i PDK-së tha se subjekti i tij kërkon me ngulm që të jepen përgjigjet e faktuara se ku mbetën 600 mijë eurot.
“Ne duam të besojmë shumë e kërkojmë me ngulm që të jepen përgjigjet e faktuara mbi atë se ku mbetën 600 mijë eurot e këtij personi, i cili ka qenë edhe anëtar i Vetëvendosjes dhe punëtor i kësaj partie në Slloveni dhe gjithandej Evropës, në veçanti të Kurtit si politikan të cilin me anketa të shpikura nga Sllovenia, nga viti 2013 e këndej, proklamohej si fitues i zgjedhjeve. Firma e tij ka vetëm një të punësuar, konkretisht vetëm Martin Berishajn. Si është e mundur, i gjithë ky qarkullim vetëm me një njeri? Pse ai nuk e ka deklaruar kompaninë e tij të cilën e ka në Mal të Zi? Pse edhe dy kompani të tjera me seli në Kosovë, Myloja L.L.C. dhe Zaslon Kosova L.L.C. nuk i ka deklaruar në formular”, theksoi ai.
PDK konsideron se kjo qasje e pushtetarëve sot është mentalitet i një pushteti populist që bën paqe të kamufluar me korrupsionin, e në anën tjetër trumbeton shurdhueshëm për luftë kundër tij. Abdullahu tha se PDK kërkon nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet për rastin Berishaj.
“Marrë parasysh të gjitha këto dhe të tjerat si këto, ne si Parti Demokratike e Kosovës, kërkojmë që ambasadori Berishaj të shkarkohet urgjentisht, pos tjerash edhe me qëllim që të mundësohet hetim i drejtë dhe i papenguar. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët, për cka ne si PDK kemi insisituar. Kemi të drejtë të dyshojmë se do të ketë interferim të pushtetit populist në institucionin e pavarur siç është Prokuroria e Shtetit. Kërkojmë nga pushteti t’i mbajë duart larg nga hetimet, sidomos tash, kur kemi parasysh zellin populist që është treguar në mbrojtjen e ambasadorit Berishaj nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani”, tha Abdullahu.
Gjatë ditës edhe LDK-ja ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.