Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi ka kritikuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen për tubimin që e kanë mbajtur mbrëmë pas rezultateve preliminare, të cilat e nxorrën Shpejtim Bulliqin e VV-së fitues në Podujevë.
Bytyçi thotë se Kurti edhe sa ishte kryeministër, në pikun e pandemisë organizoi protesta.
“Gëzimi për fitore politike nuk e justifikon diletantizmit politik të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës gjatë pandemisë. Mesatarisht mbi 13 qytetarë në ditë janë duke vdekur si pasojë e koronavirusut (Sars-CoV-2). Albini njëjtë pati vepruar edhe sa ishte kryeministër, në pikun e pandemisë pati organizuar protesta, ndërsa gjatë verës për qëllime politike lejoi hapjen e pakontrolluar. Kur të kaloj gëzimi i Albinit me shokë, sot gjatë ditës do ta marrim një njoftim nga IKSHP se mbi dhjetë qytetarë e kanë humbur jetën”, ka pohuar Bytyçi.
Sipas tij, për Albinin dhe VV-në ka pak rëndësi jeta e qytetarëve, e me rëndësi është pushteti./UBTNews