Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besianë Musmurati ka kritikuar Qeverinë Kurti për shkak se sipas saj po i lë sërish nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor.
Musmurati, në një konferencë për media, tha se njoftimi i djeshëm nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se librat do të blihen njëlloj si vitin e kaluar është shenjë se 1 shtatori përsëri do të fillojë me kaos, konfuzion, e pa libra shkollorë.
“Ky është shtatori i tretë me radhë që na gjen me kriza në arsim. Grevat e mësimdhënësve në 2022, mungesa e librave në 2023, dhe siç po duket prapë mungesa e librave në 2024. Pra fatkeqësisht, çdo shtator po e gjen Qeverinë e Kosovës dhe ministren Nagavci të papërgatitur. Ministrja Nagavci ka vendosë me vazhdu eksperimentimin e saj të pakuptimtë, për mos sigurimin e librave shkollore në kohe. Në vend se të bëjmë hapa para me reforma të mirëfillta në arsim, ministrja Nagavci po na kthen mbrapa me vendime të gabuara. Pra, edhe njëherë nxënësit e klasave 1 deri në klasën e 9-të do të fillojnë vitin shkollot pa libra shkollore”, theksoi ajo.
Ajo tha se qeveria Kurti po i shpenzon mbi 20 milionë euro për blerje të librave të njëjtë që në vitin 2017 janë blerë me rreth 3.5 milionë euro, për mbi 100 mijë nxënës më shumë se tani.
“Në konferencë ministrja tregoi që janë 218 mijë nxënës që do të subvencionohen me nga 80 apo 110 euro. Nëse e marrim një mesatare atëherë i bie që buxhetit të Kosovës do ti kushtojë 20 milionë e 776 mijë mijë euro pajisja me libra. Pra edhe vonë, edhe gati tre fish më shtrenjtë. Për shembull, librin e abetares, me shumicë Ministria me herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse në librari prindërit e kanë blerë me rreth 11 euro. Kjo do të thotë për çdo abetare të blerë, prindërit e kanë paguar rreth 4 euro më shumë. Dhe dje prapë na u tha, qe kjo praktikë e dëmshme do të vazhdojë edhe sivjet”, tha ajo.
Musmurati tha se Ministria e Arsimit e privoi arsimin nga projekti i digjitalizimit, duke i shfrytëzuar fondet e dedikuara për këtë proces për të mbuluar subvencionimin e librave.
“Vitin e kaluar, për të mbuluar koston shtesë të rreth 8 milionë eurove për të blerë libra, Qeveria i mori fondet nga projekti për digjitalizim të arsimit. Pra, për me ble libra ma shtrenjtë, Ministria e Arsimit e sakrifikoi digjitalizimin. Çfarë projekti do të ndalin sivjet për me ble libra më shtrenjtë?”, theksoi ajo.
Ajo ka përmendur se ka pasur nxënës që për dy gjysëmvjetorë shkollorë u kanë munguar disa nga librat.
Derisa sipas saj në qeverisjen e PDK-së, furnizimi me libra nuk do të jetë më temë e 1 shtatorit, pasi sipas Musmuratit digjitalizimi i proceseve në arsim do të vendoset në shërbim të nxënësve.
“Në mënyrë që te sigurohemi qe ky keqmenaxhim i parasë publike nuk përsëritet më dhe mungesa e orëve mësimore ndalet, komisioni hetimor parlamentar që është iniciu nga PDK duhet të kryej punën e vet pa ndërhyrje politike të partisë në pushtet sa me shpejtë që është e mundur dhe organet e drejtësisë te përfundojnë hetimet njëherë e përgjithmonë. Lajmi i vetëm i mirë në krejt këtë mes, e që na jep shprese për të ardhmen, është që veçse jemi në prag të zgjedhjeve të reja. Arbërie Nagavci nuk duhet të jetë më Ministre e Arsimit nga viti tjetër. Qytetaret tanë do të mund të përjetojnë dallimin e mendësisë në qeverisje me ardhjen e Bedri Hamzës dhe ekipit të tij në krye të shtetit”, përfundoi ajo.
Gjatë ditës Qeveria ka ndarë mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore.