Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar qeverinë se në vendin tonë ka një numër të madh të bizneseve që kanë shuar veprimtarinë e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
Deputetja Musliu në seancën e sotme parlamentare theksoi se çdo ditë po raportohet për mbyllje të bizneseve dhe sipas saj numri i tyre ka kaluar shifrën katër shifrore ose me mijëra sosh.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari iu përgjigj deputetes së PDK-së se nuk është e vërtetë që ka numër të madh të bizneseve të falimentuara.
“Arsyeja kryesore e mbylljes së bizneseve është për mungesë të klasës punëtore, që nënkupton se punëtorët në Kosovë keqtrajtohen prej pronarë të bizneseve, nuk kanë kontrata, nuk kanë sigurime, nuk respektohen oraret. Dhe ata punëtorë janë të detyruar që të presin sot para ambasadave të Evropës për viza të punës. Vet fakti që kjo qeveri nuk ofron asnjë shpresë që për ata punëtorë në sektorin privat do të vijnë ditë të mira ku do të respektohet djersa dhe mundi i tyre, sot mijëra biznese po mbyllën në Kosovë”, tha ajo.
Ndërsa, ministrja e MINT, Hajdari duke kundërshtuar se ka numër të madh të bizneseve të shuara, ajo përmendi se ka rritje të numrit të kompanive të regjistruara.
“Numri që përmend se ka mijëra biznese të çregjistruara, është numër që i vendos bizneset pasive dhe aktive, sepse vetëm nga viti 2022 ka filluar kategorizimi i bizneseve pasive dhe aktive. Kështu që nuk ka qenë asnjë herë më herët ky kategorizim. Për njoftimin tuaj, kanë qenë të mbyllura 1 mijë e 412, prej tyre 700 me ndryshim aktiviteti, kurse të regjistruara 11 mijë e më shumë. Por, nuk është e saktë që thuhet se janë mbyllur një numër i madh i bizneseve kur është kalimi i kategorisë në pasive. …Arsyet e secilit pronar të bizneseve janë të natyrave të ndryshme. Ka prona të bzienseve që hap biznesin individual dhe dëshiron ta ndryshojë në statusin SHPK. Kështu që kanë qindra mijëra arsye, port ë gjitha këto arsye janë të identifikuara në rastin e çregjistrimit ose të pasivizimit. Pra, ka rritje të numrit të bizneseve të regjistruara në 10 mijë e 12 mijë, kurse 700 biznese kanë kaluar në listën si SHPK”, thotë Hajdari.
Kuvendi aktualisht është duke shqyrtuar plotësim ndrsyshimin e Ligjit për ndarjet buxhetore 2023, përkatsisht koeficientin për pagat të propozuar nga qeveria në vlerë prej 105 euro.