Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja preferon formimin e një koalicioni me partitë opozitare dhe përjashton mundësinë e një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
Gjatë një konference për media, Çitaku tha se pas përfundimit të procesit të numërimit të votave dhe legjitimimit të deputetëve të rinj, PDK-ja do të nisë konsultimet dhe bisedimet me partnerët potencialë të koalicionit, që do të udhëhiqet nga Bedri Hamza.
Çitaku theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor, duke bërë thirrje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të sigurojë një numërim të saktë të votave dhe të respektohet vullneti i qytetarëve. Ajo theksoi se PDK-ja nuk e sheh këtë moment si përmbyllje, por si një fillim të ri dhe se çdo vendim politik do të merret nga organet e partisë në përputhje me interesin e qytetarëve./UBTNews/