UBT News

PDK përkrah protestën e fëmijëve të dëshmorëve të UÇK-së

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë përkrahur protestën e organizuar nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, të cilat i bëri në pesëvjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Ata kanë kërkuar ndaj kryeministrit që t’u kërkojë falje familjeve të dëshmorëve, ndërsa të ndjerin e quajnë “kriminel lufte e paslufte”.

Deputetja Ganimete Musliu, tha se me deklaratën e Kurtit, fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së kanë ndier dhimbje.

“Kërkesat e protestuesve ishin të qarta. Ata ishin fëmijët e dëshmorëve që mbajtën fjalim. Ata e kanë ndje dhimbjen e humbjes së tyre të madhe sepse ju e dini dhimbjet e luftës kanë qenë në dimezione të ndryshme. Humbjet materiale kompensohen por humbjet shpirtërore siç ka ndodhur e luftën e fundit janë të parikuperueshme”, tha ajo.

E deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e ka quajtur deklaratë skandaloze, ndërsa ka kërkuar nga Kurti që të kërkojë falje.

“Natyrisht sot janë familjes kryesisht fëmijët e dëshmorëve që kanë dal për të dënuar deklaratën në qëndrimin publik të Kryeministrit në raport me Oiver Ivanoviqin. Ai duhet të qartësoj, të dalë të kërkoj falje ashtu siç e kemi kërkuat edhe në Kuvend të Kosovës për një deklaratë skandaloze që këta fëmijë kanë humb familjarët e tyre të cilët janë rritur me ëndrrën të rriten me prindërit e tyre  dhe natyrisht është deklaratë shumë e rëndë dhe Kryeministri duhet ta qartësoj se çka përfaqëson Oliver Ivanoviqi për të, nuk mjafton vetëm kërkim falje”, tha ajo.

Ndërsa deputeti Bekim Haxhiu tha se shefi i ekzekutivit ka dashur ta rehabilitojë figurën e Ivanoviqit. Këtë të fundit e quan “kriminel lufte e paslufte”.

“Sot jam në këtë protestë duke iu përgjigjur thirrjes së fëmijëve të dëshmorëve për të reaguar dhe kundërshtuar një deklaratë skandaloze të bërë nga kryeministri i Kosovës bëri përpjekje që ta rehabilitoj figurën e Oliver Ivanoviqit, një kriminel lufte dhe kriminel paslufte. Deklarata të tilla janë të dëmshme jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen e Kosovës sepse asnjëherë nuk duhet që të shkelet mbi gjakun e dëshmorëve dhe asnjë kriminel të cilët kryen krime të tmerrshme gjatë luftës dhe pasluftës nuk duhet të rehabilitohen, kjo duhet të jetë e qartë”, tha ai.

Exit mobile version