UBT News

PDK për rezultatet e PISA-s: Ministrja Nagavci të jap dorëheqje

Partia Demokratike e Kosovës deklaron se PISA është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit. Pas rezultateve të testit PISA, ku Kosova sërish doli me rezultate të dobëta, kjo parti opozitare kritikoi pushtetin aktual duke thënë se analfabetizmi qeveritar nuk arriti të reformojë sistemin arsimor në vendin tonë. Në konferencë për media u tha se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci duhet të jap dorëheqje.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha tha se Qeveria Kurti dje ka rënë nga provimi dhe se reformat e përmendura në arsim nuk janë realizuar.

“Për çfarë cilësie mund të flasim sot, si mund të presim përmirësim të cilësisë në arsim, mënyra të reja të mësimdhënies, kur njëkohësisht Qeveria Kurti ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se të ju ofrojë mbështetje për zhvillim të aftësive dhe shkathtësive të kohës, siç edhe kishte premtuar, e për të cilat fëmijët e Kosovës kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet neve sot është se nxënësit ngarkohen me libra dhe informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo i atribuohet kësaj qeverie, e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë por me logjikën se si kanë funksionuar dhe qeverisur këto tre vite kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së zotëri Albin Kurti”, deklaroi Hoxha.

Në konferencë për media, Hoxha shtoi se pas rezultateve të PISA-s në vitin 2018, kryeministri Albin Kurti kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme.

“Besoj ju kujtohet të gjithëve që në vitin 2018 pasi PISA doli me rezultatet e saj për Kosovën, zotëri Kurti kishte thirrur një seancë të jashtëzakonshme duke thënë se arsimi në Kosovë është në krizë të madhe. Edhe ne besojmë se arsimi në Kosovë është në krizë të thellë, por me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit të qeverisjes së saj, kriza në arsim veçse është thelluar dhe këtë e vërteton rezultati i PISA-s që doli dje. Dje zyrtarisht u konfirmua se analfabetizmi qeveritar nuk arriti të reformojë sistemin arsimor në vendin tonë. Dje ministrja e Arsimit gjatë gjithë ditës u fsheh pas pandemisë COVID-19. Mirëpo, ju e dini që në programin qeveritar të Lëvizjes Vetëvendosje, fjalia e parë në bllokun që i referohet zhvillimit të arsimit i referohet përmirësimit të arsimit në situatën post-COVID”, shtoi ajo.

Tutje, Hoxha tha se pushteti aktual kishte premtuar se do të angazhohen për arsim cilësor përmes stabilizimit të gjendjes në shkolla pas pandemisë COVID-19.

“Ne po hyjmë në vitin e fundit të kësaj qeverie dhe nga 160 çerdhet e premtuara, as nuk janë afër e as nuk duken askund. As dhjetë sosh nuk janë ndërtuar tashmë. Nuk ka pasur asnjë reformë në arsimin fillor, për më tepër në vend që të bëjë reforma, qeveria zgjodhi të luftojë nga njëra anë mësimdhënësit, besoj ju kujtohet greva e vitit të kaluar e këtë vit nuk i doli zot as obligimit kushtetues dhe ligjor që të sigurojë libra falas për nxënësit e Kosovës. Po ashtu, në vend të reformës ata zgjodhën që të bllokojnë reformat në arsimin fillor. Besoj ju kujtohet lufta që ministrja Nagavci kishte bërë dikur kryetarit të Kamenicës, zotëri Kastratit në reformën e tij për arsimin fillor duke i tejkaluar kompetencat e saj dhe duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës”, shtoi ai.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala tha se ministrja Arbërie Nagavci duhet të jap dorëheqje.

“Më e pakta që sot do të ishte dashur të bëjë ministrja e Arsimit, ish dashur të jap dorëheqje. Me gjithë ato skandalet që u përmenden të cilat i ka bërë qysh se ka ardhur në krye të Ministrisë së Arsimit. Pra, përveç kësaj Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të bëjë prioritet adresimin e problemeve të cilat i ka evidentuar PISA. Ne si PDK tashmë i kemi në program tonin dhe vazhdimisht bëjmë përpjekje për t’i adresuar të gjitha këto probleme dhe t’i reflektojmë në programin tonë qeverisës dhe adresimin e të gjitha këtyre problemeve. Prandaj sot ne i propozojmë nëntë pika urgjente Qeverisë së Kosovës, të cilat duhet t’i adresojë urgjentisht. E para ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në matematikë, lexim dhe shkencë, meqë kjo është edhe bazambi të cilën nxënësit tanë duhet ta kenë fokusin”, deklaroi ai.

Ai tha se duhet të mbështeten edhe nxënësit me arritje të ulëta dhe të ketë ndërhyrje të synuara.

“Si pikë e tretë është ngushtimi i hendekut te performancës: Të bëhet përpjekje e vazhdueshme për të mbështetur ata me arritje të ulëta, duke ofruar gjithashtu sfida për ata të cilët kanë pasur arritje të larta. Si pikë e katërt është fokusi në ndarjet socio-ekonomike të cilat i ka potencuar PISA në raportin e saj, ku MASHT duhet të zhvillojnë strategji për të mbështetur nxënësit me prejardhje të pafavorshme, me kushte të vështira ekonomike, duke siguruar që ata të kenë qasje në mjetet e konkretizimit bashkëkohore dhe mbështetjen që u nevojitet për të pasur sukses”, shtoi ai.

Në mesin e rekomandimeve të PDK-së për arsimin, Shala tha se propozojnë edhe përmirësimi i disiplinës dhe mjedisit mësimor dhe rritja e përfshirjes së prindërve. Tutje, përmendi edhe investimet në digjitalizimin në sistemin arsimor.

Exit mobile version