Në seancë plenare ku po shqyrtohet për herë të parë projektbuxheti i vitit të ardhshëm, Lushtaku shtoi se nuk plotësohen kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve.
“Si i tillë (buxheti) duket më i madh me shifër, por në një situatë krize jo vetëm ekonomike por edhe mungesës së lidershipit ku gjithçka është më e shtrenjtë, i lë më të varfër qytetarët e Kosovës. Pra, sot po e mbajmë një ndër seancat më të rëndësishme të vitit, duke qenë se Ligji i Buxhetit ka rëndësinë e veçantë pa dyshim ndikimi në jetën e qytetarëve të vendit tonë”, deklaroi ai.
Lushtaku tha se vendit po i shkaktohet humbje e madhe nga manipulimet, siç i quajti ai, të kryeministrit Albin Kurti.
“Në fushatat e tuaja zgjedhore, kryeministri i tashëm i Kosovës duke u munduar të trash zërin dhe me qierr, ka premtuar që do të forcojë ekonominë e vendit, do ta ulë importin do të rrit eksportin, do të heq TVSh-në produkteve elementare. Po e përmend edhe një premtim, se të gjitha manipulimet është vështirë me ja mbajt mend. Premtojke që arka e shtetit të Kosovës, nuk do të mbushet në kufi dhe dogana me këtë shkas për t’i manipuluar edhe diasporën edhe bizneset”, shtoi ai.
Lushtaku në seancë plenare bëri të ditur se janë kundër këtij planifikimi buxhetor për vitin 2024.
“Për këtë dhe shumë arsye që do t’i theksojnë deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, ne si grup parlamentar nuk do ta përkrahim projektbuxhetin për vitin 2024. Jemi kundër këtij buxheti që nuk sjell asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve”, përfundoi ai.