Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të aktivistit të këtij subjekti politik, pasi ky i fundit hodhi dinarë serbë të printuar mbi ambasadorin Berishaj.
Ishte ky një aksion i Rinisë Demokratike të Kosovës i zhvilluar derisa po mbahej Forumi Ekonomik, Kosovë-Kroaci.
“Sot, aktivistët e Rinisë Demokratike të Kosovës kanë mbuluar me dinarë të printuar të Serbisë ambasadorin e Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, në shenjë proteste për aferën e madhe financiare që është përfshirë dhe tregtimin e energjisë me kompaninë GEN-I me seli në Beograd. Ambasadori Martin Berishaj është paguar miliona euro nga GEN-I i Serbisë, para të cilat janë tërhequr dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar. Është e papranueshme dhe e pafalshme mbrojtja që po i bëhet ambasadorit Berishaj nga Kryeministri Kurti. Ambasadori me aktakuzë Martin Berishaj nuk mund të jetë përfaqësues i denjë i Republikës së Kosovës në Kroaci, përkundrazi, sa të vazhdojë të jetë në detyrë ai do të dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës”, thuhet në reagim.
PDK ka thënë se në Prishtinë ai duhet të vijë vetëm për t’u ballafaquar me drejtësinë dhe të jap llogari për skandalin në të cilin është përfshirë.
“E vërteta nuk do të mund të fshihet, përkundër mbrojtjes së pakuptueshme dhe të dyshimtë që po i bëhet, sado e madhe të jetë piramida e këtij skandali. Njëkohësisht, duke dënuar trajtimin jo demokratik dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes të Policisë gjatë arrestimit të aktivistit tonë Milot Krasniqi, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij! Sot është arrestuar personi i gabuar!”, thuhet në reagimin e PDK-së.