Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar një mori kritikash ndaj planifikimit qeveritar për buxhetin e vitit 2025. Sipas partisë më të madhe opozitare, ky buxhet është i mbijetesës dhe nuk është zhvillimor.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për projektligjin për buxhetin për vitin 2025, tha se ky buxhet nuk i sjell asnjë investim kapital qytetarëve.
“Juve që po iu kalojnë katër vite që jeni në pushtet, deri më sot keni planifikuar 13 miliardë euro shpenzime, as edhe një projekt madhor dhe të rëndësishëm nuk mbahet mend për këtë kohë sa qeverisni. Sot ne flasim për një planifikim buxhetor që nuk ndikon asgjë, s ‘promovon asgjë dhe një planifikim që ky shtet dhe ky popull nuk sheh asnjë hajr. E kemi parë që nga fillimi i kësaj qeveri çdo planifikim shihet se është i dobët. Në realizueshmëri të çdo projekti s’ka sjell asnjë investim kapital që qytetarët të mbajnë mend”, tha ai.
Përndryshe, në PDK kanë thënë se nuk do ta votojë këtë buxhet.