UBT News

​PDK me aksion simbolik, deputetët qëndrojnë në sallë pas dështimit të seancës

Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar simbolikisht në sallë pas dështimit të dyzet për konstituim të Kuvendit. Deputetja Vlora Çitaku tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari po e shkel Kushtetutën. Ajo i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim dhe për kthim në rend të ditës.

Pas dështimit të dyzet për konstituim të Kuvendit, Çitaku tha se është e turpshme se si seancat po përfundojnë për dy minuta.

Fatkeqësisht, edhe sot, sërish me vetëdije të plotë, zotëri Dehari, Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën. I bëjmë thirrje edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, të kthehemi në sallë pasnesër, t’i kthehemi rendit të ditës, të konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe të bëjmë punën tonë. Puna jonë nuk është që të vijmë këtu e të defilojmë çdo 48 orë, puna jonë është të ndërtojmë institucionet, të ndërtojmë qeverinë, të merremi me hallet e sfidat e qytetarit të Republikës së Kosovës e jo me egon e zotëri Kurtit. Ne qëndruam simbolikisht në sallë edhe herën e kaluar edhe sot më gjatë, sepse është e turpshme që të vijmë këtu e të rrijmë nga dy minuta e të largohemi sikur të mos ndodhë asgjë”, deklaroi Çitaku.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku tha se nesër do të zhvillohet takimi i ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, ku bëri të ditur se i pranishëm do të jetë kryetari Memli Krasniqi.

Ne kemi qenë vazhdimisht të gatshëm për zgjidhje dhe do të marrim pjesë, kryetari Krasniqi do të marrë pjesë në takim, shpresojmë në reflektim. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, ne besojmë që edhe zotëri Kurti të fillojë të lexojë dhe të kuptojë drejt në shqip”, përfundoi ajo.

Exit mobile version