Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Përparim Gruda ka reaguar ndaj konferencës së Lëvizjes Vetëvendosje para Prokurorisë Speciale për rastin Dehari, duke thënë se është pikërisht partia në pushtet ajo që po e pengon zbardhjen e këtij rasti tragjik.
Në një konferencë për media, Gruda tha se pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tri vjet në pushtet, gjatë të cilëve nuk është bërë asgjë për të zbardhur rastin e aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, përkundrazi Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë.
“Sot janë bërë më shumë se tri vjet që LVV-ja është në pushtet dhe nuk ka bërë asnjë hap për të zbardhur të vërtetën e rastit tragjik të Astrit Deharit përkundër premtimit të vazhdueshëm sa ishin në opozitë për zbardhjen e tij të plotë. Përveç se nuk ka zbardhur rastin Dehari, Lëvizja Vetëvendosje për më shumë se tri vjet në pushtet janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit e janë kthyer serish, është djegur Instituti i Mjekësisë Ligjore dy herë rresht në të cilin instituti mbahen mostrat e Astrit Deharit dhe për më tepër ka penguar themelimin e komisionit hetimor parlamentar të kërkuar nga PDK-ja në dhjetor të vitit të kaluar përmes të cilit do të hetoheshin zhdukja dhe kthimi i mostrave të Astrit Deharit dhe po ashtu do të hetohej djegia e Instituti të Mjekësisë Ligjore, ku këto mostra mbahen…”, tha ai.
Gruda në emër të PDK-së ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të tregojë se kush i zhduku dhe i ktheu mostrat e Astrit Deharit, dhe pse u dogj Instituti Mjekësor Ligjor, në të cilin mbaheshin këto mostra.
“Si është e mundur që zjarri në IML të djegë kamerat e sigurisë dhe për katër ditë sa në IML nuk ka kamera të sigurisë të kthehen mostrat e Astrit Deharit?… Pse LVV e pengon në Kuvend themelimin e komisioni hetimor për hetimin e rastit të zhdukjes së motrave të Astrit Deharit dhe djegies së IML-së? Këto janë pyetje janë problemi kryesor i këtij pushteti. Mungesa e përgjigjes në këtë këto pyetje, ngrit dyshime të PDK-së mbi përfshirjen e njerëzve të kësaj qeverie në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe në djegien e IML-së. Kjo është bërë me qëllim të që rasti i Deharit të mos zbardhet. LVV nuk do që rasti Deharit të zbardhet, sepse vetëm i pa zbardhur mund të vazhdojë ta përdorë politikisht”, ka thënë Gruda.
Ai i ka bërë thirrje Vetëvendosjes të heqë dorë nga propaganda politike në rastin tragjik Dehari dhe të mbajë premtimin dhënë qytetarëve të Kosovës për zbardhjen e këtij rasti.
Gruda ka thënë se PDK siguron qytetarët e Kosovës se rasti Dehari nuk do të mbetet i pazbardhur dhe se çdo njeri që është i përfshirë nga pushteti aktual do të mbajë përgjegjësi para organeve të drejtësisë së Kosovës. Ndryshe, sot LVV në një aksion simbolik para Prokurorisë Speciale ka kërkuar drejtësi për Astrit Deharin.
Sami Kurteshi, aktualisht anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga partia në pushtet, tha se “është e qartë që është zvarritje e qëllimshme e rastit dhe se Dehari është arrestuar pa faj dhe është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.” /UBTNews/