Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni për raundin e dytë për kryetar të Mitrovicës, në përballje kundër Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili prin me një diferencë të vogël votash sipas rezultateve të raundit të parë.
Arian Tahiri në një postim në Facebook, ka shkruar se marrëveshja e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës është premtim për qytetin e Mitrovicës.
“Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton. Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike”, ka shkruar kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës.
Arian Tahiri ka shtuar se koalicioni PDK-LDK është për Mitrovicën dhe mitrovicasit.
“Ky është koalicioni i fitores! Për ty gjithmonë, Mitrovicë! “, ka përfunduar ai.
Ndërkohë ka reaguar kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci me një postim në Facebook, duke thënë se “Mitrovica ka treguar që nuk thyhet”.
Kujtojmë, ky është koalicioni i dytë që PDK-ja ka rritur për garën në Mitrovicë, kur më 30 tetor, PDK kishte arritur marrëveshje koalicioni me Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP)./S.K/KP/
