UBT News

PDK kundër shtyrjes të vendimit për targa: Të respektohet sovraniteti i Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës është shprehur kundër shtyrjes së vendimit për targat ilegale në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se duhet të respektohet sovraniteti i Kosovës dhe se nuk mund të lejohet në pafundësi të shfrytëzohen targat ilegale.

Mirëpo ai theksoi se institucionet e vendit duhet të koordinohen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Secili veprim i Republikës së Kosovës që do të ndërmerr në raport me Republikën e Serbisë është e rëndësishme që të koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo mbi të gjitha më e rëndësishmja është që ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetit të Kosovës. Nuk mund të lejohet në pafundësi shfrytëzimi i targave të tilla. Besoj se çfarëdo veprimi që merr Qeveria e Kosovës që respekton sovranitetin e vendit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës, padyshim se ka përkrahjen e PDK-së”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi sërish se nuk do të ketë asnjë shtyrje të afatit për zbatimin e vendimit për targat ilegale, i cili hynë në fuqi me 1 nëntor të vitit 2022.

Exit mobile version