Partia Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar në lidhje me propozimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke thënë se do të goditen rëndë qytetarët, amvisëritë dhe bizneset.
Madje, PDK ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se me subvencionimin e tarifave dhe reduktimet po instalon pabarazi dhe diskriminim.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, në një konferencë për media u shpreh se kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien sociale të qytetarëve dhe pabarazinë sociale, në një kohë kur janë rritur edhe çmimet e produkteve ushqimore.
Stavileci u shpreh se përmes kthimit te blloktarifa po tentohet të stimulohet kursimi, por në të njëjtën kohë kjo rritje po përcillet me një diskriminim të drejtpërdrejtë për konsumatorët të cilët energjinë elektrike e kanë si burim të vetëm të ngrohjes.
“Në qoftë se të hyrat maksimale të lejuara nga 314 milionë euro kanë shkuar në 446 milionë euro, kosto shtesë e sistemit është 132 milionë euro. Nën supozimin se Qeveria subvencionon me 75 milionë euro atëherë kosto shtesë për konsumatorët e goditur është 57 milionë euro apo mesatarisht 285 euro mbi vlerën aktuale të faturës vjetore. Rritja reale totale është 42%, por për shkak të blloktarifave, rritja te konsumatorët 800 dhe 1000 kW/h është 57% dhe 87%. Pra, përsërisim se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të krejt sistemit apo të 70% të konsumatorëve të tjerë. E në fakt kemi të bëjmë me më shumë se 50% nëse llogariten amvisëritë reale ku jetohet dhe punohet çdo ditë e të cilat shpenzojnë më shumë se 600 kW/h në muaj”, deklaroi Stavileci.
Stavileci ka thënë se absurdi më i madh në gjithë këtë konfuzion dhe pasiguri të krijuar nga ana e Qeverisë, është se kjo rritje nuk po ndodhë si rezultat i investimeve të reja në funksion të sigurisë së furnizimit, por si rezultat i zhvendosjes së sigurisë sonë të furnizimit në tregun rajonal të importit.
PDK ka thënë se nuk ka plan se si do të ndihmohen ndërmarrjet si: Trepça, Sharrcemi dhe Ferronikeli, të cilat janë në gjendje të rëndë e ku me mijëra familje punëtorësh rrezikohen për të ardhmen e tyre.
Po ashtu, Stavileci kritikoi Qeverinë e Kosovës për mungesë të ndonjë projekti kapitali që do të adresonte nevojën për kapacitetet e reja gjeneruese në periudhën afatmesme edhe përkundër gatishmërisë së agjencive donatore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare për të mbështetur Kosovën në këtë aspekt.