Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të mos vazhdojnë punimet e seancës plenare deri në themelimin e komisionit hetimor për çështjet e energjisë.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se hetimi parlamentar është instrumenti i vetëm i opozitës përmes së cilit kontrollon qeverinë.
Ai ka kërkuar edhe mbështetjen e partive të tjera opozitare që të mos vazhdohet me punimet e rregullta të seancës së Kuvendit të Kosovës deri në themelimin e komisionit hetimor.
Sipas tij, opozitës po i mohohet një e drejtë fondamentale.
“Ne sot jemi të vendosur që ta realizojmë një të drejtë tonë kushtetuese, konstatimin e themelimit të këtij komisioni pastaj do të vazhdojmë në një normalitet parlamentar. Ndryshe, prezenca jonë në këtë seancë pa themelimin dhe pa realizimin e kësaj të drejte fondamentale për opozitën nuk ka kurrfarë kuptimi. Prandaj ne sot po kërkojmë që kjo seancë mos të vazhdojë, ta gjejmë një zgjidhje, ta themelojmë komisionin hetimor dhe pastaj do të vazhdojmë me pikat e tjera të rendit të ditës. Edhe ashtu kjo seancë është ftuar pa dakordimin e opozitës”, ka thënë Tahiri.
Partia Demokratike e Kosovës po kërkon komision hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike, për të gjitha transaksionet dhe ngritjen e çmimit të energjisë.