Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se kanë kërkuar që të mërkurën të mbahet seancë e jashtëzakonshme për faljen e borxheve të ambalazhueseve të ujit dhe mesazhet ndërmjet Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
“Nesër kemi ftuar seancën e radhës, seancë e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar edhe një komision hetimor në të cilën nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, kjo nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Dëmi që është shkaktuar është 11 milionë euro”.
Përderisa për publikimin e mesazheve ndërmjet Mihait e Krasniqit, ai shtoi se kjo është e patolerueshme që një person pa asnjë kompetencë të vendos për kompaninë që ka qarkullim vjetor 150 milionë euro.
“Çështje tjetër e rëndësishme është çështja e përgjimeve në sektorin e energjisë elektrike. Dejona, e udhëheq sektorin energjetik të vendit tonë. Kush është Dejona që duhet me udhëheq KEK-un? Kompania publike qarkullon 150 milionë euro në vit, kush është Dejona për me udhëheq? Ajo na përcakton edhe kohën kur duhet me pas reduktime të energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri.