UBT News

PDK kërkon që vlera e koeficientit të jetë 120 euro

Partia Demokratike e Kosovës do të propozojë amandamentimin e Ligjit për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit të pagës në sektorin publik në vlerën 120 euro.

Koordinatori i departamentit për financa në PDK, Arben Mustafa, në konferencë për medie të mërkurën, kritikoi qeverinë për caktimin e koeficientit të pagave në sektorin publik në vlerë 105 euro.

Ai tha përmes caktimit të kësaj vlere, Qeveria e Kosovës ka goditur edhe një herë standardin e jetesës të shumë qytetarëve të Kosovës duke paraqitur një koeficient të pagave që nuk i përmbushë nevojat e tyre.

“Me këtë koeficient shumë kategorive të rëndësishme të punonjësve publikë nuk i ofrohet një pagë dinjitoze, ndërsa shumë të tjerave madje u zvogëlohen pagat në këtë periudhë të rëndë të krizës. Është vështirë e kuptueshme sjellja e një qeverie, e cila në periudhën më të vështirë ekonomike në të cilën po kalon vendi, si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, ndërmerr veprime të njëpasnjëshme që rëndojnë dhe nuk ndihmojnë gjendjen financiare të qytetarëve. Ende pa kaluar tronditja nga shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë, kjo qeveri ndërmerr një goditje tjetër, atë të ndëshkimit me pagë të kategorive të ndryshme të punonjësve të sektorit publik, duke lënë kështu qytetarët në pasiguri të lartë se cilat do të jenë veprimet e radhës të kësaj qeverie”, tha ai.

I pyetur për dërgimin e Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese, ai tha se pasi të shohin veprimet e mazhorancës në Kuvend për propozimin e tyre për rritje të koeficientit në 120 euro, do të ndërmarrin hapat të tjerë të cilat i shohin të nevojshëm.

“Hapi i parë do të jetë propozimi i amendamentimit të Ligjit për Buxhetit, pasi ne konsiderojmë se koeficienti i duhur është 120 euro. Do të presim reagimin e shumicës në Kuvend ndaj këtij propozimi për të vepruar me hapat e tjera të cilat mund të vlerësohen si të nevojshme”, theksoi Mustafa.

Ai shtoi se çdo koeficient page që është nën 120 euro vetëm e rritë degradimin e standardit të jetesës në Kosovë.

“Gjatë kësaj qeverisje, rritje substanciale kanë shënuar vetëm çmimet dhe emigrimi, por jo edhe standardi i jetesës së qytetarëve. Për Partinë Demokratike të Kosovës, çdo koeficient page nën 120 euro vetëm se rritë degradimin që ka kapluar standardin e jetesës në Kosovës dhe kontribuon në humbjen e mëtejme të shpresës për një jetë të dinjitetshme në Kosovë”.

Ndërkaq, shtoi se koeficienti i pagës në sektorit publik në vlerë 105 euro vetëm se do t’i nxisë profesionistët të ikin nga sektori publik.

Exit mobile version