UBT News

PDK kërkon pezullim të vendimit për tregun e lirë të energjisë

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parashikon daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë nga data 1 qershor 2025. Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka paralajmëruar se ky vendim do ta rëndojë më tej gjendjen ekonomike në vend.

Tahiri akuzoi Qeverinë Kurti për favore ndaj kompanive të lidhura me pushtetin, duke thënë se çmimet alarmante të energjisë janë rezultat i ankandeve të kurdisura dhe përfitimeve të jashtëzakonshme.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon auditim të jashtëzakonshëm nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe auditorë të pavarur për ankandet, përfituesit dhe shumat e shpenzuara. Gjithashtu kërkojmë pezullim të menjëhershëm të vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë, si dhe hetim të thelluar nga Prokuroria Speciale për të gjitha zyrtarët dhe aktorët e përfshirë në këtë skandal”, tha Tahiri.

Ai akuzoi shumicën parlamentare për tri vite bllokim të hetimeve në sektorin e energjisë dhe tha se qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën për keqpërdorimet që, sipas tij, po rëndojnë jetën dhe ekonominë e tyre.

“Publikimi i raporteve zyrtare mbi shitblerjen e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar ka konfirmuar denoncimet e vazhdueshme të Partisë Demokratike të Kosovës për abuzimet në sektorin e energjisë. Vetëm brenda një dite, çmimi i transmetimit të energjisë u rrit nga 2 në 798 euro për MWh, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej mbi 1 milion euro në vetëm 6 orë”, përfundoi ai.

Exit mobile version