Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po i kërkon Qeverisë Kurti t’i rishqyrtojë masat e fundit anti-COVID. Në partinë opozitare, të njëjtat i kanë quajtur joprofesionale dhe të dëmshme në shumë dimensione.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, përmes një konference për medie, tha se vaksina e tretë për të hyrë në Kosovë është kërkesë edhe antishqiptare.
“PDK-ja masat e fundit anti-COVID të Qeverisë së Kosovës i konsideron të ngutshme, joprofesionale dhe gjithsesi të dëmshme në shumë dimensione. Për rrjedhojë këto masa janë të dëmshme për bizneset tona të brendshme, bile edhe ato jashtë Kosovës të cilat bashkëpunojnë me vendin tonë. Këto masa janë joparimore edhe në raport me të drejtën e lëvizjes së qytetarëve… Në vend të masave ekstreme të mbylljes, PDK rekomandon që Qeveria të rrisë kapacitetet menaxhuese dhe të zbatojë masat e duhura, në mënyrë që qytetarët e vaksinuar me dy doza të kenë mundësi të lëvizin lirshëm pa kufizime dhe bizneset të kenë mundësi të operojnë pa u paralizuar. Masat e fundit të Qeverisë, posaçërisht ajo për pasjen e vaksinës së tretë si kusht për hyrjen në Kosovë, janë pos tjerash edhe shkelje e të drejtave, sidomos në raport me qytetarët shqiptarë të vendeve përreth. Këta qytetarë kanë lidhje të pandalshme organike me Kosovën, si ato familjare, ashtu edhe ato biznesore, si ato në arsim ashtu edhe në fusha të tjera të jetës e punës”, tha ai.
Ai tha se Qeveria Kurti po keqmenaxhon me pandeminë COVID-19.
“Prej kur është shfaqur për herë të parë koronavirusi në Kosovë, vendi është udhëhequr nga qeveria e Albin Kurtit. Për fat të keq, që nga fillimi në asnjë moment kjo qeveri nuk ka ditur të menaxhojë me pandeminë, përkundrazi, hapin e vetëm që ka ditur ta marrë ka qenë izolimi, mbyllja e qytetarëve dhe ndëshkimi i bizneseve. Si pasojë e udhëheqjes së dobët e pa vizion, Kosova në këtë pandemi ishte vendi i fundit që siguroi testet dhe vendi i fundit që siguroi vaksinat. Tani po mbetemi vendi i fundit i izoluar e me masa të rrepta, në mungesë të menaxhimit të duhur nga kjo Qeveri”, tha Abdullahu.
Abdullahu komentoi edhe lajmin se në veri të vendit nuk do të shtrenjtohet energjia elektrike, për çka tha se është qasje diskriminuese.
“Është logjikë dhe mendësi e kësaj qeverie që po vazhdon, atje (në veri) nuk do të shtrenjtohet dhe këtu do të shtrenjtohet. Është diskriminim për interesa qeveritare dhe klanore. Edhe është paguar rryma për ata dhe është shtrenjtuar për neve. Është diskriminuese dhe e papranueshme, si PDK në mënyrë të vazhdueshme kemi demaskuar këtë qasje”, tha ai.
Sa i përket emërimit të nënkryetarit dhe drejtorëve nga radhët e PDK-së në Prishtinë, Abdullahu tha se emërimi i tyre është çështje ditësh.