Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Mustafë Kadriaj, kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për buxhetin po e cilëson krejt të natyrshme.
Por Kadriaj në një prononcim për Ekonomia Online thekson se vetëm nëse është disponimi i Qeverisë diçka mund të ndryshojë. Ai thotë se në këtë rast opozita nuk mund ta lëviz asnjë gur në drejtim të ndryshimit të buxhetit.
“Opozita duhet ta luaj rolin e vet dhe në këtë drejtim duhet ta marrim shumë natyrshëm kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës, por duke ditur që Qeveria Kurti është qeveria më stabile nga ana e numrit të deputetëve kështu që këtë mund ta cilësojmë vetëm si fontanë dëshirash pavarësisht a është e qëlluar, por që vetëm nëse është disponimi i Qeverisë përndryshe opozita nuk mund ta lëviz asnjë guri në drejtim për ndryshimin e kahjes së buxhetit”, deklaroi ai.
Mes tjerash ai thotë se Qeveria me komoditetin që ka nuk po i përfillë kërkesat e opozitës.
“Edhe pse mund të vinë ide brilante nga ana e opozitës, vlerësojë që qeveria aktuale ka aq shumë komoditet që nuk i përfill aspak kërkesat e opozitës, qeveria në fund të fundit mundet me gjet shumë arsye edhe prej balte vetëm që mos të jetësohen idetë e opozitës”, deklaroi ai.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi përsëri ka ftuar Kuvendin e Kosovës t’i pezullojë pushimet, për ta rishikuar Ligjin për Buxhetin që të gjitha nevojat emergjente të reflektohen në buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.