Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në konferencë për media deklaroi se albumit të skandaleve të kësaj qeverie nuk po i shihet fundi.
Çitaku ka komentuar videon dhe akuzat e Ndue Gjinit ndaj Ridvan Muharremit.
Ajo tha PDK kërkon veprime emergjente të institucioneve të drejtësisë.
“Nisur nga përmbajtja të deklaratës së dëshmitarit, reagimi i institucioneve të drejtësisë duhet të jetë emergjent. Ju dëgjuat e patë me figurë, dëshmitarin. Tregtia ilegale me arnë, krijimi i dëshmitarëve të paqenë kundër krerëve të UÇK-së, kërkon hetim. Më së paku, deklaratat e Ridvan Muharremit paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejt në drejtësi”, deklaroi Çitaku.
Çitaku tha se PDK kërkon edhe hetimin e kryeministrit Albin Kurti.
“Kush e ka autorizuar Ridvan Muharremin për prodhimin e dëshmitarëve të rrejshëm. Kush i ka kërkuar zhdukjen e një politikani tq PDK-së? Kërkesat tona për prokurorinë janë të thjeshta: nisni menjëherë dhe urgjentisht një hetim profesional për Ridvan Muharremin, përfaqësuesin e Qeverisë së Kosovës”, tha ajo.
Ajo komentoi edhe dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.
“Kryeministri ka shumë ministra që janë nën hetime, që janë të përfshirë në afera të shumta që ai do të duhej t’i shkarkuar. Për ministrin Mehaj, ai ka nevojë të jap disa përgjigje. A janë të vërteta pretendimet se ka pasur mospajtime deri në përplasje fizike”, u shpreh ajo.