Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që në seancën e sotme të ketë debat për involvimin e Millan Radojiçiqit në vendimmarrjen e Kuvendin e Kosovës. Pas publikimit të audio-incizimeve me shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Tahiri tha se parlamenti është kontaminuar dhe kriminalizuar.
Shefi i deputetëve të PDK-së deklaroi në seancën plenare se kryeterroristi Millan Radojiçiq në koordinim me Mimoza Kusari Lilen e ka përcaktuar pagën minimale.
“Tashmë jemi njoftuar edhe me fakte të reja për involvimin e kryeterorristit Millan Radojiçiqit në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës. U njoftuam që Millan Radojiçiq në koordinim me kryetaren e GP-së së LVV-së, Mimoza Kusari Lila, e kanë përcaktuar pagën minimale në Republikën e Kosovës. Po ashtu përmes këtij koordinimi këta dy persona kanë lënë jashtë pagës minimale, kategoritë më të ndjeshme në vendin tonë, veteranët e UÇK-së, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve. Ajo që është edhe më tragjike shkon në faktin se të dy bashkë paskan pasur edhe kandidat të përbashkët për Gjykatën Kushtetuese. Pra, këtu dua t’i falënderojë një pjesë të vogël të LVV-së që së bashku e kemi pamundësuar që kandidatin e Millanit edhe të Mimozës, tashmë personin që shërben si zëvendësministër i Drejtësisë, Vigan Qorrollin, ta pamundësojmë shkuarjen e tij në Gjykatën Kushtetuese si gjyqtar”, deklaroi Tahiri.
Ai kërkoi nga deputetët që pikat e sotme të rendit të ditës të shtyhen për një seancë të ardhshme.
“Sot kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë juve që ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës të deklarohemi një për një për këto çështje jashtëzakonisht të rrezikshme dhe që cenojnë sigurinë kombëtare për vendin tonë. Prandaj, sot ne si GP kërkojmë që pikat të cilat janë të përcaktuara të shtyhen për një seancë tjetër dhe të diskutojmë secili për secilin pikë për involvimin e Millan Radojiçiqit në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës. Pra, ky kuvend është kontaminuar dhe kriminalizuar aq shumë sa që nuk e meriton për besë as për të vazhduar. Personi i cili mund ta ketë vrarë direkt Afrim Bunjakun, apo një nga ushtarët e tij na e ka përcaktuar vendimmarrjen në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Tahiri.
Po ashtu, Tahiri kërkoi nga Kusari-Lila që t’i kërkojë falje Partisë Demokratike të Kosovës. AI tha se nuk do të bashkëpunojnë me partinë në pushtet dhe nuk do të votojnë as marrëveshjet ndërkombëtare e as çështjet tjera.
Kryeparlamentari Glauk Konujfca tha se debati parlamentar është i pamundur të zhvillohet proceduralisht./UBTNews/