Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se janë duke pritur ftesë nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa për të diskutuar çështjen e presidentit.
Hoxhaj i pyetur nga Ekonomia Online nëse janë kontaktuar nga Mustafa apo kryeministri Avdullah Hoti për tryezën lidhur me çështjen e presidentit, tha se ata Hotin nuk e shohin si partner në këtë proces sepse ai është një kryeministër, ndërsa për Mustafën si kryetar të LDK-së tha se presin ftesë.
Megjithatë Hoxhaj ka përsëritur qëndrimin e partisë se kandidati duhet të jetë nga PDK-ja.
“Vetëm Mustafa për neve është partner, dhe ai është partner për neve është në raport me partitë tjera, sepse në jemi opozitë ata janë në Qeveri, dhe kur flasim me të ne flasim edhe më AAK-në dhe Nismën. Qasja jonë është e qartë, ne duam që vendi mos të mbetët pa kreun shtetëror, që Kosova të ketë President dhe jemi të gatshëm si opozitë të japim kontributin tonë. Nëse kërkojnë votat tona, qëndrimi është që Presidenti duhet të jetë nga PDK-ja. Presidentin e zgjedhim tani pa shkuar në zgjedhje, por atë duhet ta zgjedhim edhe nëse shkojmë në zgjedhje. Kjo s’nënkupton raport tonin të ri me Qeverinë”, tha ai.
Hoxhaj sa i përket mocionit të mosbesimit të Vetëvendosjes, ka thënë se ata presin që kjo parti të iniciojë një mocion serioz.
“Vetëvendosje nëse është e interesuar që t’i jap fund kësaj qeverie, duhet të jetë serioze dhe të na bëjë ftesë për takim. Ne s’kemi nisur mocionin dhe ne nuk i marrim vendimet në studio televizive. Le të bëjnë ftesë dhe takohemi”, tha Hoxhaj.