Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve për themelimin e komisionit hetimor lidhur me kontratat njëburimore.
Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pushteti ka keqpërdorur 150 milionë euro përmes këtyre kontratave.
“Pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore që janë burim i korrupsionit. Ky skandal duhet dhe do të hetohet deri në fund. Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që sipas tij duhet ta ushtrojë Kuvendi.