UBT News

​PDK-ja e shkëput koalicionin qeverisës me LDK-në në Prishtinë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shkëputur koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, pas shfuqizimit të vendimit për këmbimin e pronave në Badoc. Lajmi është bërë i ditur nga Uran Ismaili i PDK-së në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc.

“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Sapo dërgova shkresën zyrtare te Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionarët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar ai.

Ismaili ka theksuar se për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster.

Ai ka përkujtuar se nën udhëheqjen e nënkryetares Donjeta Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK-ja janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë.

“Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë. Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në kryeqytet”, ka përfunduar Ismaili.

Exit mobile version