Partia Demokratike e Kosovës, pas skandalit slloven ku është përfshirë si i dyshuar ambasadori Martin Berishaj, e ka quajtur interes kombëtar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e energjisë, por edhe hetimet nga prokuroria në Kosovë. Partia më e madhe opozitare duke e emëruar këtë skandal si “Karteli i rrymës” thotë se ka depërtuar në majat më të larta të institucioneve dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, u shpreh se pengesa që po i bëhet themelimit të komisionit parlamentar nga Kurti dhe bashkëpartiakët e tij ka për qëllim që të mos zbardhë kontratat e shitblerjes së rrymës dhe, sipas tij, lidhjet potenciale të këtij karteli me bashkëpunëtorët e Kurtit.
“Sot jemi këtu për të ngritur zërin në emër të qytetarëve tanë dhe për të dënuar aferën e “Kartelit të Rrymës”, që tani ka depërtuar në majat më të larta të institucioneve dhe të partisë në pushtet. Ne kemi pasur një kërkesë të vazhdueshme për të themeluar një komision parlamentar hetimor, që do të hetonte procesin e shpenzimit të 100 milionë eurove të dedikuara për blerje të rrymës. Kjo e drejtë kushtetuese e deputetëve e penguar nga kryeministri Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, ka për qëllim që të mbajnë larg dritës kontratat e shitblerjes së rrymës, sepse, kështu do të zbulohej rrjedha e parasë si dhe lidhjet potenciale të Kartelit të Rrymës me bashkëpunëtorët e kryeministrit Kurti”, tha Ismaili.
Ismaili e ka quajtur interes kombëtar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të kuptuar se si janë shpenzuar 100 milionë euro që janë dedikuar për krizën energjetike.
Ai ka thënë se vetëm për dy muaj, në dhjetor 2021 dhe janar të këtij viti është blerë energji elektrike në vlerë prej 4.2 milionë euro nga kompania GEN-I me seli në Serbi.
“Një hetim parlamentar ku do të përfshiheshin deputetët e pozitës dhe opozitës, tani është interes kombëtar. Komision parlamentar, i përbërë nga ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile, ku të gjithë së bashku do të hetonim se ku, si dhe kujt u janë dhënë këto miliona euro të taksave tona. […] Pra, Kosova ka blerë shtrenjtë, e Beogradit i ka shitur lirë. Ajo që tani dihet është që gjatë muajit dhjetor dhe janar, për dy muaj, është blerë energji elektrike në vlerë prej 4.2 milionë euro nga kompania GEN-I me seli në Serbi, e nga dëshmitë që janë zbardhur nga mediumet sllovene paraqitet lidhja se Martin Berishaj është paguar rreth 600 mijë euro nga kjo kompani”, vijoi Ismaili.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, u shpreh se në vend që diplomacia kosovare të jetë e angazhuar dhe të shfrytëzojë rastin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ajo është përfshirë në një skandal.
Gjithashtu, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA i ka kërkuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kuritt të mos bëjnë rolin e prokurorit dhe gjykatësit por të shkarkojnë menjëherë Berishajn si ambasador në Kroaci.
“Për shkak të rrethanave përtej nesh, është krijuar një mundësi e artë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, për shkak të përjashtimit të Rusisë, në vend se të gjitha resurset tona politike e shtetërore të jenë në funksion të jetësimit të këtij qëllimi madhor, diplomacia e Kosovës duke të jetë e përfshirë në një skandal të madh. […] Ata duhet të ndërmarrin hapa institucional dhe politik. Shkarkimin e menjëhershëm të zotëri Berishaj nga pozita e ambasadorit. Unë ju them me bindje se nga dje, ai nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë detyrën e tij. Madje, ai ua ka bërë më të vështirë punën edhe ambasadorëve tjerë tanë në vendet e rajonit. Ambasadori Berishaj të shkarkohet menjëherë e ti lë rrugën e lirë drejtësisë që të bëjë punën e saj”, tha Çitaku.
Çitaku ka refuzuar të komentojë edhe faktin se Kosova dhe Serbia nuk arritën të nënshkruajnë një marrëveshje për targat, duke thënë se qeveria duhet të përqendrohet te njohja reciproke.
Në fund, të dy nënkryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë bërë thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës që të votojnë themelimin e komisionit hetimor parlamentar që do të jetë në rend dite ne seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës më 28 prill.