UBT News

PDK heq nga lista Argjend Tashollin

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se e ka hequr nga lista kandidatin Argjend Tasholli, pasi që nuk e ka kaluar verifikimin nga KGJK-ja, duke e zëvendësuar me Alban Bislimajn.

Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Edhe Argjend Tasholli në një përgjigje për EO ka thënë se është dënuar për një aksident trafiku në vitin 2018 me një gjobë prej 300 euro. Megjithatë ai ka thënë se do ta respektojë vendimin çdo vendim të partisë së tij.

“Aksident i rastit ka qenë, nuk është diçka e rëndësishme dhe nuk është diçka që e dëmton dikënd. Me kanë shpallur fajtor, dhe jam dënuar me 300 euro në vitin 2018″, deklaroi ai.

PDK-ja ka bërë me dije se do ta respektojë vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara.

“Partia Demokratike e Kosovës ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020. Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë”, thonë nga PDK.

Exit mobile version