Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiti me mbështetjen e 42 deputetëve ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ditën e nesërme.
Tahiri tha se ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të premten, nga ora 12:00, lidhur me urgjencën që përfshinë sigurinë dhe kredibilitetin e Qeverisë Kurti dhe “se sa thellë e ka përfshirë ky pushtet terroristin Milan Radojçiq, në diktimin e agjendës së Kuvendit të Kosovës.”
“Ky turp nga rrafshi moral e ky degradim nga rrafshi institucional, ku një terroristi dhe një personi që gjendej në Listën e Zezë të SHBA-vë, iu është mundësuar ta diktojë agjendën e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të kalojë pa përgjigje“, tha Tahiri.
“Njëherësh, në përpjekje për t’ia ndryshuar kahun këtij mega-skandali, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha sot në Kuvend se “imagjinoni kur do të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiq, imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës” duke aluduar se ajo i di dhe i ka parë të njëjtat“, tha Tahiri.
Ai ka thënë se populli i Kosovës nuk meriton mjegull, andaj fton Kusari-Lila që nesër, para seancës apo gjatë seancës, “t’i publikojë ato fotografi një për një dhe të evidentojë me emër e mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata që paskan qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiq dhe që i paskan dërguar dhurata atij“./UBTNews/