Krim makabër e dështim të shtetit po e konsideron Partia Demokratike e Kosovës, vrasjen e djeshme të 35 vjeçares në oborr të Gjinekologjisë. Kjo parti opozitare e ka ftuar në interpelancë kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat përkatës, meqë sipas tyre, kanë dështuar për të ofruar siguri juridike për qytetarët e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se e ndjera ka vdekur mbrëmë në duar të shtetit dhe shteti duhet të jap përgjegjësi.
“Edhe më tronditëse bëhet gjendja kur brenda pak ditësh i kemi dy viktima, të vrasjeve të tmerrshme dhe të rënda nga bashkëshortet e tyre. Këto duhet të jenë rastet e fundit dhe alarmi i fundit për shtetin tonë dhe për shoqërinë tonë. Si grupi më i madh parlamentar opozitar ne nuk kemi mundur të qëndrojmë duarkryq dhe nuk kemi mundur të jemi indiferent karshi përballjes me një gjendje të rëndë të viktimave, pothuajse të përjavshme. Prandaj, PDK në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë me kryeministrin, për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet dhe veprimet e tyre po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për vajzat dhe gratë e këtij vendi. Pra po dështojnë për të ofruar mbrojtjen e jetës të shëndetit të trupit të vajzave dhe grave të Kosovës”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.
Para gazetarëve, ajo gjatë se enjtes ka shtuar se në Kosovë çdo ditë po shënohen raste të dhunës dhe krimeve ndaj vajzave e grave.
Mbrëmë në oborrin e Gjinekologjisë është vrarë 35-vjeçarja, e cila po pritej që sot të sjellte në jetë fëmijën e saj. Ajo dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti me një plumb në kokë dhe dy në gjoks.